Investitorët hungarezë shprehin interesim për investime në Kosovë

Ekonomi

Investitorët hungarezë shprehin interesim për investime në Kosovë

Më: 16 maj 2017 Në ora: 11:12
Safet Gërxhaliu dhe Laszo Markusz

(E plotësuar) - Në Prishtinë po mbahet Forumi Ekonomik në mes të Kosovës dhe Hungarisë, ku po marrin pjesë rreth dhjetë biznese hungareze, të cilat kanë shprehur interesimin për të investuar në Kosovë në fusha të ndryshme.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu me këtë rast tha se bashkëpunimi ekonomik dhe raportet e ndërsjella ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë janë të dëshmuara, por sipas tij, nga ky forum pritet të arrihen marrëveshje konkrete ndërmjet bizneseve.

Ai shtoi se sa më tepër që dialogohet dhe sa më tepër forcohet partneriteti krijohet dhe fuqizohet ardhmëria që është e nevojshme për Kosovën. Sipas tij, Kosova i ka pesë objektiva strategjike, Evropa, edukimi, ekonomia, ambientalizmi dhe përvoja.

Gërxhaliu: Hungaria për Kosovën është një shtet i rëndësisë së veçantë

“Jemi dëshmitarë të asaj që raportet politike janë në nivelin e dëshiruar dhe mbi këto raporte politike duhet të forcohet partneriteti dhe bashkëpunimi ekonomik. Bashkëpunimi ekonomik dhe përvojat e partnerëve nga Hungaria janë më se të vlerësuara dhe të mirëseardhura për Kosovën. Në këtë drejtim besoj që ky forum do të gjenerojë edhe marrëveshje të bashkëpunimit jo vetëm në formë bilaterale, por edhe më gjerë. Hungaria për Kosovën është një shtet i rëndësisë së veçantë jo vetëm politike, por edhe ekonomike e strategjike”, tha Gërxhaliu.

Kryetari i Odës Ekonomike të Hungarisë, Attila Galambos, tha se odat e këtyre dy shteteve duhet  të angazhohen për krijimin e kushteve më të mira për afaristët. Nga ky forum ai pret që bizneset hungareze të lidhin marrëveshje, pasi bizneset kosovare janë kredibile.

Galambos: Investitorët hungarezë shprehin interesim për investime në Kosovë

“Të gjithë biznesmenët kosovarë janë shumë korrekt, dhe kjo është arsyeja pse unë kam shtyrë odën ekonomike të vendit tonë që ata të vijnë dhe të bëjnë këtë vizitë në Kosovë që unë së bashku me ta, ta ndaj këtë përvojë time. Jam më se i sigurt se çdo njëri prej tyre do të bëjnë marrëveshje me homologët kosovarë, sepse njerëzit këtu janë shumë të hapur, korrekt dhe gjithmonë janë të hapur për të bashkëpunuar”, tha Galambos.

Edhe ambasadori i Hungarisë Laszo Markusz tha se pas arritjeve të këtij forumi dy qeveritë e këtyre shteteve duhet t’i marrin parasysh kërkesat e bizneseve. Ai ka treguar edhe për marrëveshjet financiare të Hungarisë për Kosovën.  Sipas tij, në këto dy vitet e fundit kanë pasur dy takime të nivelit të lartë të dy qeverive që kanë shprehur interesim për investimet hungareze në Kosovë.

Markusz: Qeveria e Hungarisë e mbështet Kosovën financiarisht

“Qeveria e Kosovës dhe Hungarisë kanë bërë shumë në këto dy vitet e fundit për të fuqizuar frymën ekonomike, por edhe në infrastrukturën ligjore për të fuqizuar bashkëpunimin ekonomik. Në muajin dhjetor 2015, ne kemi nënshkruar një bashkë-marrëveshje për bashkëpunim dhe po ashtu në dhjetorin e vitit të kaluar ne kemi nënshkruar edhe një marrëveshje për një hua ne vlerë prej 62 milionë euro me kamatë zero për qind. Këto mjete janë të parapara nga Qeveria e Hungarisë për Kosovën, për zhvillimin ekonomik”, tha Markusz. 

Ndërsa, Kreshnik Thaçi nga KIESA (Agjencia për Promovimin e Investimeve të Huaja) ka prezantuar mundësitë që ofron Kosova për investime.

Ndryshe, importi i mallrave nga Hungaria është 99 për qind më i lartë se eksportet e vendit tonë. 

Forumi ekonomik Kosovë-Hungari, priten marrëveshje për lehtësim të bizneseve

Në Prishtinë po mbahet Forumi Ekonomik në mes të Kosovës dhe Hungarisë, ku po marrin pjesë rreth dhjetë biznese hungareze.

Kryetari i OEK-ut  Safet Gërxhaliu me këtë rast tha se bashkëpunimi ekonomik dhe raportet e ndërsjella ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë janë të dëshmuara, por sipas tij, nga ky forum pritet të arrihen marrëveshje konkrete ndërmjet këtyre dy shteteve.

"Rëndësia ekonomike por edhe strategjike në këtë drejtim është se sa më shumë që dialogohet forcohet bashkëpunimi. Janë pesë objektiva strategjike, Evropa, edukimi, ekonomia, ambientalizmi dhe përvoja", tha Gërxhaliu.

Kryetari i Odës Ekonomike të Hungarisë, Attila Galambos, tha odat e këtyre dy shteteve duhet  të angazhohen për lehtësimin e kushteve dhe ndërlidhjeve për bizneset.

Nga ky forum ai pret që bizneset hungareze të lidhin marrëveshje, sepse bizneset kosovare janë kredibile.

Kosova dhe Hungaria kanë një debalanc tregtar, Kosova  eksporton vetëm 1 përqind kurse importi nga Hungaria është 99 përqind më i madh.

Edhe ambasadori i Hungarisë Laszo Markusz tha se pas arritjeve të këtij forumi dy qeveritë e këtyre shteteve duhet ti marrin parasysh kërkesat e bizneseve.

Ndërsa, Kreshnik Thaçi nga KIESA ka prezantuar mundësit që ofron Kosova për investime.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat