Për pesë muaj, nëntë të vdekur në vendin e punës

Ekonomi

Për pesë muaj, nëntë të vdekur në vendin e punës

Më: 16 qershor 2017 Në ora: 11:50
Siguria ne pune

Vetëm gjatë periudhës së parë pesë mujore të këtij viti kanë humbur jetën nëntë qytetarë në vendin e punës, kryesisht në sektorin e ndërtimtarisë. Kjo dukuri po shënon rritje krahasuar me vitet e kaluara.

Rasti i fundit me fatalitet ka ndodhur para tri dite në Kqiq të Mitrovicës, ku humbi jetën Hajdin Aliu rreth 40 vjeç, i cili u rrëzua nga skelet në sektorin e ndërtimtarisë.

Gjatë prezantimit të projektit "Harmonizimi i Legjislacionit të Kosovës me legjislacionin e BE në fushën e kushteve të punës” nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, kryeinspektori i Punës Basri Ibrahimi tha se fatkeqësisht çështja e sigurisë dhe shëndetit në punë nuk është e mirë dhe është larg prej asaj që lë  për të dëshiruar me atë që e parasheh edhe ligji se si do të duhet të duken dukshëm vendet e punës më të sigurta, më të shëndetshme ashtu si do të duhej punëdhënësit që të sjellën ndaj punëtorëve dhe të krijojnë kushte më të mira të punës.

Mirëpo, sipas tij, edhe punëtori duhet t’i respektojë të gjitha ato rregullativa, të cilat edhe janë obligime të punëtorëve për evitimin e aksidenteve.

Ibrahimi: Në këtë vit i kemi 9 raste të vdekjes në vendin e punës

“Kur e thash që gjendja nuk është e mirë, ne vetëm në këtë vit i kemi 9 raste të vdekjes në vendin e punës , që në vitin  paraprak në tërë vitin i kemi pas 9 të vdekur, edhe ajo është shumë, duke pas parasysh që në Kosovë nuk ka ndonjë industri shumë të zhvilluar shumë të madhe. Kryesisht ato vdekje vijnë në ato vende që janë me rrezikshmëri, por nuk janë me rrezikshmëri ekstreme sikurse që janë industritë e tjera të rënda por megjithatë në ndërtimtari po na ndodhin raste të vdekjes në vendin e punës që në këtë vit për 5 muaj janë 9 raste të vdekjes në vendin e punës. Vitin e kaluar i kemi pas 9 raste , vitet paraprake i kemi pas nga 17 raste , vitin 2014-2013 nga 17 raste që janë jashtëzakonisht shumë , janë tepër shumë dhe ne po mundohemi me bë çmos si Inspektoriat i Punës që të ulet ky nivel i lartë i aksidenteve në vendin e punës, por fatkeqësisht nuk po ia arrijmë”, tha Ibrahimi.

Ai tha se janë të vetëdijshëm që ky legjislacion është shumë i gjerë dhe shumë voluminoz dhe qëllimi final i tyre është që të ketë zero aksidente dhe lëndime në punë.

Sipas tij, duhet të punohet shumë, dhe nuk është vetëm Qeveria e Kosovës apo MPMS me Inspektoratin e Punës të cilët duhet të angazhohen që të parandalojnë këto aksidente dhe lëndime në punë, por duhet një zinxhir i mekanizmave të tjerë, të cilët duhet të punojnë dhe të angazhohen sa më shumë në krijimin e sistemit të sigurisë dhe shëndetit në punë.

Përfaqësuese e BE-së  Sirja Poder,  tha se Bashkimi Evropian është e përkushtuar ta ndihmojë Kosovën në bashkëfinancim për kushtet e punës, sepse Kosova është anëtar i ardhshëm i BE-së dhe kërkohen standarde të njëjta në vendin e punës dhe kushte të njëjta në punë, sikurse shtetet tjera të BE-së.

Poder: BE-ja është e zotuar që të mbështesë Kosovën për kushtet e punës, sigurinë dhe shëndetin

“BE-ja është e zotuar që të mbështesë Kosovën në zhvillimet për kushtet e punës, sigurinë dhe shëndetin, po ashtu luftën kundër punës së pa deklaruar. Përveç projektit të cilin Leonora sot e prezantoi, Ministria dhe Inspektorati punës kanë kërkuar për mbështetjen e mëtutjeshme dhe ne jemi në proces të gjetjes kompanive të cilat mund të ofrojnë mbështetjen e mëtejme. Pra, pse po e  bëjmë këtë? Është shumë e qartë, sepse Kosova është anëtar i ardhshëm i BE-së dhe kërkohen standarde të njëjta në vendin e punës dhe kushte të njëjta në punë, sikurse shtetet tjera të BE-së”, tha Poder.

Leonora Ahmetaj nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale tha se projekti “Harmonizimi I legjislacionit të Kosovës me legjislacionin e BE në fushën e kushteve të punës”, ofron asistencë teknike për MPMS në transpozimin e direktivave të BE në legjislacionin nacional në fushën e kushteve të punës.

Ajo tha se duke synuar në përmirësimin e kushteve të punës për të punësuarit në Kosovë përmes përafrimit të legjislacionit të Kosovës me legjislacionin e BE-së dhe implementimin e ligjeve nga fusha e punës. Ajo tha se detyrat kryesore të këtij projekti janë transpozimi  i 38 Direktivave të BE-së nga fusha e kushteve të Punës në legjislacionin e Kosovës.

Ahmetaj: Kemi përmbushur gjysmën e direktivave për kushtet e punës

“Ministria e Punës dhe Mirëqenies sociale është e obliguar që të përafroj legjislacionin e saj në mënyrë të vazhdueshme nga fusha e kushteve të punës, e cila përfshinë marrëdhënien e punës, sigurinë dhe shëndetin në punë dhe trajtimin e barabartë. Përmes këtij projekti ne veç se kemi filluar të traspozojmë 38 direktiva të cilat ndërlidhen me marrëdhënien e punës dhe sigurinë e shëndetin në punë. Ne tani jemi në fazën e transpozimit ku kemi kaluar gjysmën e këtyre direktivave, dhe deri më tani janë në fuqi shtatë rregullore individuale sektoriale nga fusha e sigurisë dhe shëndetit në punë për të cilat synojmë që deri në fund të fitit ti transpozojmë 19 direktiva individuale… Obligimi I Ministrisë së Punës së dhe Mirëqenies Sociale konform marrëveshjes për Stabilziim Asociim është që deri në fund të vitit 2020 të kemi të transpozuar 38 direktiva nga legjislacioni I fushës të kushteve të punës”, theksoi Ahmetaj. 

Ndërsa, konferenca pati për qëllim të inkurajojë  partneritetin në mes të partnerëve social, institucioneve e mekanizmave qeveritarë, sektorit privat dhe sindikatave të punëtorëve për gjetjen e instrumenteve e modeleve implementuese të promovimit të sigurisë dhe shëndetit në punë. Po ashtu funksionalizmit të zinxhirit funksional dhe implementimi  i kornizës ligjore që rregullon menaxhimin e Sigurisë dhe Shëndetit në Punë dhe rritë kapacitetet implementuese.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat