“Brexit” dhe punësimi sezonal – Mungesat në tregun e punës mund t’i mbushin shqiptarët

Ekonomi

“Brexit” dhe punësimi sezonal – Mungesat në tregun e punës mund t’i mbushin shqiptarët

Më: 29 qershor 2017 Në ora: 20:57
ilustrim

Pas Brexit, kurdo që kjo të ndodhë, me ose pa një marrëveshje të arritur mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Europian, tregu i punës në vend do të ketë nevojë të vazhdueshme për krah pune.

Sfidat punësimit janë duke u rënduar ditë pas dite, për shkak edhe të mungesës së plotë të informacionit se çfarë do të ndodhë me shtetasit europianë rezidentë në MB.

Nevojat e industrisë së frutikulturës për punëtorë ka qenë në një rritje të vazhdueshme me 25% vit pas viti, por shifrat e fundit tregojnë se krahu i punës ra me 17% këtë Maj. Situata pritet të përkeqësohet edhe më shumë në Korrik, kur përplaset vjelja e luleshtrydheve me atë të mollëve.

Industria e frutave dhe perimeve është në kërkim të punëtorëve sezonalë gjatë gjithë vitit dhe punëtorët fitojnë potencialisht mes 9-15 paund ora.

Deri më tani, qeveria britanike ka patur gjithmonë plane për shtesa në krahun e punës, duke rekrutuar në të shkuarën edhe punëtorë nga Shqipëria, Rusia dhe Ukraina.

Punëtorët të cilët vijnë nga brenda vendit janë të paktë në numër dhe të pamotivuar, ndaj prodhuesit e mëdhenj të industrisë së frutave të buta kanë dhënë alarmin se nëse nuk merren masa tani, deri në 2019-ën kur përfundojnë negociatat, mund të mos ketë më një industri të tillë, njofton Scan Tv.

Edhe në rast të një marrëveshjeje shumë pozitive me BE për punëtorët sezonalë, trendi i vënë re nga zyrat e punësimit është se qytetarët nga vendet e Europës Lindore si Polonia kanë kaluar përtej punëve të tilla, në profesione më me fitim dhe tashmë janë rezidentë të MB të punësuar në spitale, zyra dhe banka.

Zyrat e punësimit propozojnë që të rregullohen skema të plota për punëtorët sezonalë të agrikulturës me shtete si Shqipëria, Serbia, Ukraina, etj. Propozohen pikërisht vendet si Shqipëria, pasi kërkimi për krah pune në tregje si Kina, Kamboxhia dhe Vietnami nuk ka kuptim për shkak të kostove të transportit.

Arsyeja pse mungesën e krahut të punës e vuan më shumë sektori i frutave të buta, është sepse ato duhet të mblidhen menjëherë sapo të piqen. Nëse një rritës luleshtrydhesh ka 20% mangësi në krah pune, atëherë do të ketë 20% më pak prodhim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat