Bie çmimi i patates, fermerët: Europa ka bllokuar eksportet

Ekonomi

Bie çmimi i patates, fermerët: Europa ka bllokuar eksportet

Më: 3 korrik 2017 Në ora: 09:42
Ilustrim

Qielli është bërë njësh me tokën. Ndonëse janë orët e para të mëngjesit, një erë e ngrohtë, që vjen nga deti, na shoqëron gjatë gjithë udhëtimit tonë. Jemi nisur për në Divjakë, në zonën e prodhimeve të frytshme. Mbërrijmë në treg në kohën e qetësisë, siç do e quanin fermerët. Ata janë mbledhur në sheshin pa strehë nga dielli duke pritur tregtarët.

Këto ditë duket se nuk kanë qenë me fat për myzeqarët e kësaj ane. Problemin e kanë me kulturën e patates. Çmimi ka rënë dhe tregu është “zhdukur”. “Pikë e zezë po vuajmë. Ja këtu në diell jemi. Patatja ka që në prill që ka dalë në treg. Unë vetë kam mbjellë 6 dynym. Prodhim ka plot, por nuk po e shesim dot. E shihni ç’bëhet këtu?! E kemi blerë me 220 lekë kilogramin e patates, nuk po e shesim dot me 15 lekë. Shih si po ikën malli, kot. Nuk vijnë tregtarët.

“Nëse nuk vjen makina nga jashtë nuk hiqet malli. Këtu nuk ka eksport po të kishte eksport do ishte mirë. Me atë bëhet punë”, thotë i revoltuar dhe i lodhur fermeri Jorgan Kruti. Fermerët tregojnë se këtë vit kanë pasur një prodhim të mirë dhe të volitshëm, por sipas tyre, është ndaluar eksporti i patates shqiptare në vendet e Europës, duke e cilësuar një pengesë shumë të madhe në shitje dhe tregtim, jo vetëm në rajon, por edhe brenda vendit.

“Kam shumë vite që merrem me bujqësinë dhe sidomos me kultivimin e patates. Këtë vit kam pasur rezultate të mira dhe rendiment të lartë. Me shpresën he shitjen duke qenë se jemi edhe në sezon. Mirëpo, nuk i shesim dot në tregun europian. Edhe një miku im që shkoi para një jave në Itali ia kthyen kamionin”, thotë grumbulluesi Ristan Janko, teksa tregon arsyet. “Toka jonë është në garantinë dhe nuk na lejon që të eksportojmë. Na kanë bllokuar kamionët nga Kroacia dhe nga Italia.

Kërkesë për produktin ka sa të duash. Por, kemi frikë se të bllokojnë në doganë ata direkt. Vitin që kaloi na e bllokuan dhe frika vazhdon. Ne jemi interesuar dhe kjo nuk është zhbllokuar akoma. Ka 15 vite që përsëriten situata të tilla. Përherë thonë jo këtë vit, jo tjetrin dhe asnjë s’ka bërë asnjë gjë”. Sipas fermerëve kërkesë për eksportin e patates dhe karotës ka nga tregtarët e huaj, por vetëm sepse toka është në garantinë nuk lejohet. “Vetëm sepse toka është në garantinë e mohojnë. Ka substancë, nuk është e përshtatshme thonë.

Por, ato mbrojnë prodhimet e tyre dhe i bëjnë bllokadë këtyre të vendit tonë”, tregon grumbulluesi Janko. Sakaq, shpenzimet e fermerëve sa vijnë dhe shtohen. “Unë kam 20 ditë që vij në treg për të shitur patate. Kam shitur 150 kuintalë, kam edhe 100 kuintalë të tjera. Malli shitet edhe vonë, por çmimi që kemi ne këtu është shumë i ulët.

Detyrohemi ta shesim që të mos mbetet stok. Kam hedhur 240 mijë lekë në këtë tokë, në një kohë kur 220 lekë/kg kërkon vetëm fara. Shpenzimet më të mëdha toka i do për plehra kimikë si nitrat, ure dhe dap, që shkojnë rreth 45000 lekë. Vetëm një thes dap më kushton 5000 lekë”, tregon Kujtim Rika. Pas ndalimit të eksportit fermerët thonë është ulur ndjeshëm çmimi.

Sot patatja kushton 15 lekë në tregun e Divjakës. “Kosto e prodhimit dhe e fitimit janë në proporcion të zhdrejtë. Nuk fitojmë asnjë gjë. Me përllogaritje na shkon rreth 100 mijë lekë dynymi si tërësi shpenzimesh. Nuk përfitojmë dot as ato para që kemi investuar. Nuk marrim dot fitimin”, vijon më tej fermeri Kurti. Ndërkaq, i shqetësuar për mallin stok të mbetur në magazinë, Jorgani tregon se këto ditë, gjendet vetëm në tregun e Divjakës duke kaluar gjithë ditën në pritje me shpresën se ndonjë tregtar do të paraqitet për të blerë arkat me patate. Malli do të shitet me çmim të ulet, pasi fermerët tanimë nuk kanë zgjidhje tjetër.

Pengesat e dërgimit të këtyre produkteve jashtë vendit ndikojnë në mënyrë direkt në ecurinë e ekonomisë së fermerëve më Divjakë. Sot, gjendja paraqitet shqetësuese. Fermerët tregojnë arkat e mbushura me perime që nuk tërhiqen nga tregtarët. Pikat e grumbullimit të Divjakës janë nga më të mëdhatë në vend për perimet. Pjesa më e madhe e tregtimit të këtyre produkteve eksportohet jashtë vendit.

Tregu

Në Divjakë janë disa firma eksportuese. Një pjesë e tyre ushtrojnë aktivitetin përgjithësisht gjatë muajve të verës dhe produktet që eksportojnë më së shumti janë pjepër dhe shalqi. Ndërsa, pjesa tjetër e bizneseve eksportojnë pothuajse gjatë gjithë vitit në tregjet e BE-së dhe Ballkanit, fruta dhe perime të llojeve të ndryshme. Firmat eksportuese kanë teknologjinë e tyre të paketimit dhe ambalazhimit, por në disa raste ky proces bëhet edhe sipas kërkesave të importuesit. Për lloje të ndryshme prodhimesh bujqësore përdoren arkat e drurit apo plastike si dhe qeset në madhësi të ndryshme dhe në varësi të kërkesës së blerësit

Përse Europa nuk pranon pataten e Divjakës?

Në Shqipëri prodhimi i patates llogaritet në rreth 245 mijë ton në vit. Në krahasim me rajonin, Shqipëria lë pas Maqedoninë, Kosovën, dhe Malin e Zi, duke u renditur në vendin e 26-të në Evropë, ndër 37 shtete të marra në analizë nga Eurostat sa i përket prodhimit të patates. Sipas specialistëve të fushës, në Shqipëri, patatja ka filluar të kultivohet mbas vitit 1850.

Fermerët e Shishtavecit në veri të vendit, por edhe ato në qarkun e Korçës, (juglindje) vijojnë të kryesojnë me kultivarët kryesorë, të patates në Shqipëri. Sot, patatja është një ndër artikujt kryesorë të ç’do kuzhinë botërore, e përdoret si ushqim në shumë forma. Statistikat e Bashkimit Evropian (BE) evidentojnë se në nivel evropian, Gjermania mban vendin e parë me 10 milionë ton prodhim në vit, duke zënë 19% të totalit të prodhimit të vendeve të BE-së.

Bosnjë-Hercegovina dhe Serbia ndërkohë prodhojnë 351 dhe 639 mijë tonë patate në vit. Ndërsa në total në vendet e Bashkimit Europian prodhojnw 53 milionë ton patate në vit, shifër kjo në rënie krahasuar me vitet më parë, bën të ditur EUROSTAT. Sot prodhimi i bollshëm bujqësor vendas dhe veçanërisht i patates, është mjaft i kërkuar edhe në tregjet e huaja.

Ekspertet shpjegojnë lidhur me eksportet e patates se, Bashkimi Evropian nuk i ka vënë asnjë pengesë Shqipërisë në eksportin e saj në tregjet evropiane por Shqipëria duhet të japë garanci për sigurinë e këtij produkti nëpërmjet analizave të certifikuara, pasi patatja është mbartëse e një sërë sëmundjeve, duke qenë se kultivohet në tokë dhe për këtë, kërkohen monitorime të vazhdueshme”, raporton Trt. Net.

Njohja e statusit pa sëmundje lidhet me kapacitetin e organizatave kombëtare për mbrojtjen e bimëve për të zbatuar çdo standard dhe procedurë ndërkombëtare të rekomanduar për masat fitosanitare përfshirë mbikëqyrjen, analizat e riskut, inspektimin, raportimin dhe informacionin. Pasi organet kombëtare të vendit të japin siguri të plotë se sëmundja nuk ekziston vendi mund të njihet si i lirë për eksport, shprehen ekspertet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat