Edhe pak kohë ka mbetur për të përfituar nga shlyerja e borxheve

Ekonomi

Edhe pak kohë ka mbetur për të përfituar nga shlyerja e borxheve

Më: 5 korrik 2017 Në ora: 11:44
Administrata Tatimore e Kosovës

Administrata Tatimore e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve për të përfituar nga falja e borxheve, duke ua përkujtuar atyre se afati në fjalë përfundon më 1 shtator të këtij viti.

Të gjithë personat fizik dhe juridik të cilët kanë borxhe ndaj ATK-së deri më 31 dhjetor 2008, mund të përfitojnë nga falja e borxhit, nëse plotësojnë kriteret dhe iu nënshtrohen procedurave të parapara nga ATK për faljen e këtyre borxheve.

Administrata Tatimore e Kosovës, ka identifikuar të gjithë personat që kanë obligime të pashlyera dhe që mund të përfitojnë nga falja e borxheve publike, për periudhën deri më 31 dhjetor 2008.

Nga falja e borxheve publike për periudhën deri 31 dhjetor 2008, sipas këtij Ligji përfitojnë të gjithë personat të cilët kanë obligime të pashlyera ndaj Administratës Tatimore të Kosovës, me kusht që të njëjtit të kryejnë pagesën e plotë të obligimeve për periudhën nga 1 janar 2009-31 dhjetor 2014. Pagesa e plotë e kryegjësë mund të bëhet deri më 1 shtator 2017.

Personat e këtillë, përveç faljes së tërësishme të borxhit për periudhën deri më 31 dhjetor 2008, do të përfitojnë edhe me faljen e gjobave, ndëshkimeve, interesit dhe çdo obligim tjetër që rrjedh nga mos pagesa me kohë e borxhit bazë për periudhën 1 janar 2009-31 dhjetor 2014.

ATK ka bërë të ditur se nëse nuk kryhet pagesa e plotë, personat e këtillë mund të lidhin marrëveshje me Administratën Tatimore të Kosovës deri më 1 shtator 2017, për pagesën e borxheve me këste për periudhën 1 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2014.

Në rastin kur arrihet marrëveshja, këta persona, përveç faljes së tërësishme të borxhit për periudhën deri më 31 dhjetor 2008, do të përfitojnë edhe me faljen e ndëshkimeve për periudhën 1 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2014.

Personat, të cilët lidhin marrëveshje dhe nuk respektojnë kushtet e marrëveshjes, ATK të njëjtit do t’i vendosë në listën e borxheve, duke i bërë obligues për të gjitha borxhet e mbetura sipas kërkesave ligjore që kanë qenë të zbatueshme para lidhjes së marrëveshjes. 

Borxhet e pashlyera deri më 31 dhjetor 2008, ku shuma totale e borxhit bazë është në vlera të vogla prej 1 deri në 100 euro, fshihen në mënyrë automatike.

Kërkesa për pjesëmarrje në programin për faljen e borxhit publik, mund të gjendet në zyrën përkatëse regjionale të ATK-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat