KE vlerëson lart Kosovën për programin e reformave në ekonomi 2017

Ekonomi

KE vlerëson lart Kosovën për programin e reformave në ekonomi 2017

Më: 12 korrik 2017 Në ora: 16:36
Në takim morën pjesë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, përfaqësuesit e Komisionit Evropian dhe OECD-së, si dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile

Në kuadër të dialogut për qeverisje ekonomike ndërmjet Kosovës dhe BE-së, Qeveria e Kosovës për herë të katërt do të dorëzojë në Komisionin Evropian programin e reformave në ekonomi.

Duke u bazuar në vendimin e qeverisë të datës 30 qershor 2017 për procesin e përgatitjes së programit për reforma në ekonomi 2018-2020, në emër të koordinatorit nacional, ministrit në detyrë të Financave Avdullah Hoti, sot u mbajt takimi lansues i këtij procesi.

Në takim morën pjesë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, përfaqësuesit e Komisionit Evropian dhe OECD-së, si dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, ku u prezantuan ndryshimet në udhëzimet e Komisionit Evropian, strukturat koordinuese si dhe kalendarin për përgatitjen e PRE-së.

Zëvendësministri në detyrë i Financave Agim Krasniqi, tha se programi për reforma në ekonomi 2017 ka marrë vlerësime pozitive nga Komisioni Evropian, qoftë për nga cilësia e informatave, koordinimi i procesit, ndërlidhja me kornizën strategjike, apo ndërlidhja me kornizën buxhetore.

“Këto vlerësime janë njohje e suksesit tonë të përbashkët, sidomos duke pasur parasysh se dorëzimi i këtij dokumenti na vë në nivel të barabartë me shtete që janë më të avancuara se ne në procesin e ‘European Semester’. Prandaj, është shumë e rëndësishme, që ky trend pozitiv në cilësinë e dokumentit të vazhdojë edhe në të ardhmen”, tha ai.

Për më tepër, Krasniqi theksoi se duhet ndërtuar qasje gjithëpërfshirëse gjatë tërë procesit të hartimit të këtij dokumenti dhe si koordinatorë të këtij procesi do të punohet në drejtim që ERP 2018 të ketë pronësinë dhe mbështetjen më të gjerë të mundshme politike.

“Këtë vit për shembull është risi përfshirja e organizatave të shoqërisë civile dhe sektorit privat qysh në fillim të procesit, duke mundësuar kështu konsultim të gjerë të reformave të përzgjedhura. Presim që këto organizata të kontribuojnë me ekspertizën e tyre në pasurimin e dokumentit dhe përzgjedhjen e prioriteteve që adresojnë problemet me të cilat ballafaqohen gjatë aktivitetit ekonomik”, tha Krasniqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat