Fermeri në grevë për subvencione; Ministria: Ka fryrë faturën e traktorit

Ekonomi

Fermeri në grevë për subvencione; Ministria: Ka fryrë faturën e traktorit

Më: 13 korrik 2017 Në ora: 16:00
Nexhmi Hyseni

Me arsyetimin se i është bërë e padrejtë duke mos i ndarë subvencione një fermer ka hyrë sot në grevë urie para Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor.

Nexhmi Hyseni nga fshati Batllavë  po pretendon se është ndëshkuar nga Ministria duke mos i dhënë asnjë subvencion tash e disa vjet.

Por,  këtë pretendim të fermerit Hyseni e demantojnë zyrtarët e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor që është në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë.

Sipas zyrtarëve të kësaj agjencie Hyseni është në listë të zezë të Agjencisë pasi që ka dyshime për keqpërdorim të subvencioneve nga ana e tij.

Por ndryshe nga zyrtarët e ABZH-së fermeri Hyseni thotë se ai është ndëshkuar vazhdimisht nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor.

Hyseni: Po më ndëshkon Ministria, paratë nuk janë të atyre por të të gjithëve

“Unë qe katër vite rresht dëmtohna veç për subvencione ka 15 mijë euro. Në qoftë se vetëm një fermer mundet me ekzistua me dënimin e shtetit ka 15 mijë euro për çdo vit e ka ferma plot, ka ferma që janë të zbraztë rrinë sorrat edhe pëllumbat se fermeri i drejtë nuk ka qasje as në Ministrinë e Bujqësisë.  Këta ti marrin dokumentet ti vjedhin ta vjedhin punën , djersën vetëm me arsyetua vetveten. Unë jam shumë i pastër dhe si frikohem askujt. Në ministri dhe në shtet kemi hise të gjithë të barabartë. Si Hashim Thaçi, sikur Kadri Veseli sikur Isa Mustafa , po ma shumë se unë se ata të gjithë kanë hise . Unë zgjohem në ora 5 të mëngjesit deri në ora 10 nuk hy brenda dhe në këtë temperaturë në vend se me qenë në ara me fshi grurin unë duhet me dal me i prit këta kur mi qesin paret. Parat e baballarëve të tyre s’janë po janë parat e shtetit tim....Këta po e zhvillojn ë bujqësinë me tortura dhe me letra.  Unë kam aplikuar për subvencione të qumështit, subvencione për krerë të lopëve që ministria i ndan”, tha Hyseni.

Por udhëheqësi i Administratës Qendrore në Agjencinë e Zhvillimit Bujqësor Agim Rama tha se fermeri Hyseni dyshohet se ka keqpërdorur me subvencionet që i janë dhënë nga Ministria.

Sipas tij, fermeri në fjalë i ka fryrë faturat për blerjen e traktorit.

Rama: Fermeri në fjalë ka keqpërdor mjetet

“Çështja e fermerit daton prej vitit 2014-të. Pas marrjes së një informate nga mediat se ka pasur keqpërdorim të mjeteve publike ne zakonisht reagojmë menjëherë dhe e bëjmë ekspos kontrollin dhe gjatë ekspos kontrollesh është konstatuar se fermeri në fjalë ka bërë fryrje të faturës së blerjes së një traktori. Në raste të tilla, sipas ligjit në fuqi dhe udhëzimeve administrative që e rregullojnë këtë fushë ne kërkojmë kthimin e mjeteve të përfituara në mënyrë të paligjshëm...Është faturuar mbi 40 mijë euro vlera e traktorit kurse vlera reale ka kushtuar rreth 26 mijë euro”, tha Rama.

Rama tha se kanë kërkuar nga ky fermer që t’i kthejë mjetet ndërkaq ai nuk e ka bërë një gjë të tillë.

Rama tha se lënda ndaj fermerit Hyseni është në Gjykatë dhe se ajo ende nuk ka vendosur për këtë rast.

Agim Rama ka sqaruar se çdo fermer që dyshohet se ka keqpërdor subvencionet futen në listë të zezë duke ia pamundësuar qasjen në subvencione deri në tri vjet.

Sipas tij nuk është vetëm ky rast të keqpërdorimit të subvencioneve pasi që Rama tha se ka edhe shumë raste tjera.

Për ta mbështetur fermerin Hyseni, i cili ka hyrë në  grevë urie, në vizitë tek ai ishte kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve Tahir Tahiri. Ai tha se Federata Sindikale është e shqetësuar për këtë që ka ndodhur me fermerin Nexhmi Hyseni.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat