Asetet e sektorit mikrofinaciar arrinë në 156.8 milionë euro

Ekonomi

Asetet e sektorit mikrofinaciar arrinë në 156.8 milionë euro

Më: 21 korrik 2017 Në ora: 09:23
BQK

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), ka njoftuar se gjatë tremujorit të parë të vitit 2017, asetet e sektorit mikrofinanciar arritën në 156.8 milionë euro, duke shënuar rritje të theksuar vjetore prej 26.2 përqind.

“Kontribuues kryesor në rritjen e aseteve të sektorit ishte rritja e kredive bruto, që kryesisht financohet nga huamarrjet në sektorin e jashtëm, e që dominojnë strukturën e përgjithshme të aseteve të sektorit mikrofinanciar me 75.4 përqind), pasuar nga lizingjet me 14.5 përqind”, thuhet në raportin e BQK-së, për Vlerësimin Tremujor të Ekonomisë.

Aktiviteti kreditor i sektorit mikrofinanciar gjatë tremujorit të parë të vitit 2017 u karakterizua me rritje të theksuar të vlerës së kredive prej 33.6 përqind.

“Ekonomitë familjare, që kanë një pjesëmarrje prej 65.2 përqind në gjithsej kreditë e sektorit, u karakterizuan me rritje vjetore prej 34.4 përqind. Gjithashtu, kreditë ndaj ndërmarrjeve, që përfaqësojnë 34.8 përqind të gjithsej kredive të sektorit, shënuan një rritje vjetore prej 32.3 përqind.

Sa i përket kredive të lëshuara, kategoria ndaj ‘sektorëve tjerë’ shënoi rritjen më të lartë vjetore, pasuar nga bujqësia, tregtia, ndërtimtaria dhe industria”, thuhet në raportin e BQK-së, për Vlerësimin Tremujor të Ekonomisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat