EUROSTAT: Pushimet s’i përballojnë një në tri familje evropiane

Ekonomi

EUROSTAT: Pushimet s’i përballojnë një në tri familje evropiane

Më: 6 gusht 2017 Në ora: 20:24
Shifrat e EUROSTAT

Pushimet konsiderohen luks, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për një pjesë të familjeve në vendet e zhvilluara evropiane. Sipas Institutit Evropian të Statistikave, Eurostat, një në tri familje evropiane e kanë të pamundur ekonomikisht të përballojnë një javë pushime larg shtëpisë.

Shifra është bërë publike përmes një anketë të posaçme, e cila vëren diferenca të mëdha nga njëri vend në tjetrin.

Sipas Eurostatit, nivelin më të ulët të familjeve që nuk mund të përballojnë pushimet e ka Suedia. Në vendin nordik janë vetëm 8.2 për qind e familjeve, të cilat nuk kanë të ardhura për të shkuar një javë me pushime larg shtëpisë.

Më pas vjen Luksemburgu me 13.1 për qind dhe në vendin e tretë renditet Danimarka me 13.7 për qind.

Por, nëse në vendet e Evropës Perëndimore janë vetëm një pjesë e vogël e familjeve që nuk mund të përballojnë pushimet, në shtetet e reja anëtare të Lindjes është një situatë krejt tjetër.

Sipas Eurostatit, në Bullgari janë 56.4 për qind e familjeve që nuk kanë të ardhura për një javë pushime larg shtëpisë; në Kroaci 62.8 për qind, ndërsa në Rumani plot 66.6 për qind e popullsisë s’ka para për pushime.

Për shumë njerëz, vera nënkupton pushime dhe udhëtime. Por, sipas Eurostatit, jo të gjithë mund t’i përballojnë ato. Edhe në Bashkimin Evropian.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat