Tahiri: Rreth 30 mijë hektarë kanë qenë më pak të mbjella me grurë sivjet

Ekonomi

Tahiri: Rreth 30 mijë hektarë kanë qenë më pak të mbjella me grurë sivjet

Më: 9 gusht 2017 Në ora: 13:35
Kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri

Kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri, ka shprehur sot shqetësimin lidhur me rendimentin mesatar të grurit të sivjetmë, për të cilin ka thënë se është në nivelin më të ulët në dhjetë vjetët e fundit dhe se Kosova sivjet ka siguruar vetëm 25 për qind të bukës.

Ai në një konferencë për media të mbajtur në sheshin “Nënë Tereza” përkatësisht para objektit të Ministrisë së Bujqësisë, me rastin e përfundimit të korrje-shirjeve në Kosovë, tha se rendimenti i grurit sillet  2700 kilogramë për hektarë dhe se rreth 30 mijë hektarë kanë qenë më pak të mbjella me grurë sivjet.

Tahiri: Nuk jemi të kënaqur me rendimentet e sivjetme

“Korrje-shirjet e sivjetme në aspektin teknik kanë vajtur mirë, mirëpo nuk jemi të kënaqur me rendimentet, të cilat i kemi arrit për shkak se sivjet kemi rreth 2 mijë e 700 kilogramë për hektarë. Ky është një rendiment më i ulëti që ne e mbajmë në mend. Përveç kësaj kemi edhe sipërfaqet tepër të vogla, sivjet kanë qenë të mbjella diku 30 mijë hektarë më pak. Kjo për neve është shumë brengosëse, andaj duhet të jetë për të gjithë edhe për Qeverinë dhe për popullin për shkak se sivjet në bazë të parametrave tonë nuk kemi me mundur me siguruar bukë më shumë se 20 për qind”, tha Tahiri.

Rendimentet kaq të ulëta vijnë, sipas Tahirit, vijnë edhe si pasojë e farërave, plehrave dhe pesticideve  jo cilësore. Përveç kësaj, ka edhe destimulim të fermerëve për shkak të subvencioneve të ulëta dhe konkurrencës jo lojale nga importi.

Ai tha se problem tjetër që paraqet për bujqit janë edhe keqpërdorimet që i bën Ministria e Bujqësisë me rastin e dhënies së atyre subvencioneve.

Tahiri: Keqpërdormi i subvencioneve po i de-motivion fermerët

“Ka keqpërdorime, iu jepen atyre të cilët nuk mbjellin fare, këso raste kemi me dhjetëra e me qindra hektarë, të cilat nuk mbillen dhe marrin subvencione. Kjo te bujqit krijon pakënaqësi të mëdha dhe mos besim tek institucionet tona. Problem tjetër që ka ndikuar në ulje të sipërfaqeve dhe të rendimenteve është konkurrenca jo lojale që na vjen nga importi, e posaçërisht nga Serbia, me kualitet mjaft të dobët”, tha Tahiri. 

Fermeri Nexhmi Hyseni nga Podujeva në këtë konferencë ka ngritur çështjen e keqpërdorimeve të subvencione dhe granteve nga Ministria e Bujqësisë. Ai para mediave grisi fotografinë e ministrit aktual të MBPZHR-së Memli Krasniqi në programin e Ministrisë për subvencione dhe grante për, siç u shpreh, kriteret e gabuara që po i aplikon ky ministër për fermerët aplikues.

Fermeri, i cili tregon se ka ardhur nga diaspora për të investuar në bujqësi, tha se ka qenë i dëmtuar si fermer duke u anashkaluar për mbështetje financiare.

Hyseni: Kam ardhur prej diasporës dhe po trajtohem keq si fermer

“Halli ynë është vlerësimi, andaj ne kërkojmë që veç vlerësimi me u bërë real, me ditë se kush ka qasje në para publike dhe kush e ndan paranë publike. Ne prej vitit 2010 kam ardhur prej diasporës me i përvjel duart për punë, duke menduar se ministri e kryen punën  e vet, e fermeri punë  e vet. Fermerët po punojnë e po djersiten, ndërsa po pasurohen njerëzit, të cilët merren me kontrabandë, me projekte”, theksoi Hyseni.

Ndryshe, Federata e Bujqve të Kosovës ka bërë të ditur se në Kosovë operojnë rreth 1 mijë  autokombajna dhe asnjë prej tyre nuk ka korrë grurë më shumë se 40 hektarë sivjet. Kjo sipas kësaj federate, i bie se sipërfaqe me grurë në Kosovë nuk ka pasur më shumë se 40 mijë hektarë. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat