Transmetuesit publik i shkurtohet buxheti

Ekonomi

Transmetuesit publik i shkurtohet buxheti

Më: 23 gusht 2017 Në ora: 20:23
Drejtori i Përgjithshëm i Televizionit Publik, Mentor Shala

Ministria e Financave për muajt korrik dhe gusht ka ndarë mbi 300 mijë euro më pak për Transmetuesin Publik.

Ky shkurtim i buxhetit pengon zhvillimin programor të RTK-së , thonë drejtues të saj.

Drejtori i Përgjithshëm i Televizionit  Publik, Mentor Shala thotë se mungesa e buxhetit mund të sjellë telashe brenda mediumit që ai e udhëheq.

“Muajt e fundit, për muajin korrik dhe gusht jemi ballafaquar me një situatë jashtëzakonisht serioze si RTK për shkak të alokimit, siç është planifikuar të mjeteve nga Ministra e Financave në RTK. Dmth janë diku afër 300 mijë vetëm këta dy muaj me pak që janë alokuar nga Ministria, dhe kjo na shkakton jashtëzakonisht telashe të mëdha", deklaroi Shala.

Sipas Shalës  mënyra se si kjo ministri ndan paratë për RTK-në, është e kundërligjshme.

“Mjetet alokohen tash çdo muaj e me ligj është e paraparë që çdo tre muaj ashtu siç është e paraparë edhe me ligj ashtu e kemi planifikuar. RTK është futë në obligime në bazë të planifikimit të cilin e ka pas dhe tash jemi ne një situatë që mund të prodhojë një krizë të mundshme në mungesë të mjeteve financiare...", deklaroi më tej drejtori i RTK-së.

Por, në Ministrinë e Financave deklarojnë se për këtë çështje RTK duhet të kërkojë përgjigje në Kuvendin e Kosovës.

Në një përgjigje të shkurtër përmes postës elektronike ata i kanë thënë televizionit se Kuvendi është sqaruar nga Thesari me anë të një shkrese sa i përket ndarjes së mjeteve buxhetore për RTK-në.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat