1 në 10 përdorues të valutave virtuale bie preh e mashtrimit

Ekonomi

1 në 10 përdorues të valutave virtuale bie preh e mashtrimit

Më: 25 gusht 2017 Në ora: 16:01
Ilustrim

Një arsye tjetër për të qenë refuzues ndaj ofertave në botën e kriptomonedhave: shanset janë që një në dhjetë të përfundojë viktimë e vjedhjeve.

Skemat e mashtrimit përllogaritet që të kenë shkaktuar humbje prej 225 milionë dollarë këtë vit, sipas Chainalysis, një kompani me bazë në Nju Jork që analizon të gjitha transaksionet dhe mundëson softuer kundër pastrimit të parave. Në skema të tilla, investitorët janë mashtruar në dërgimin e parave në adresat e internetit duke pretenduar se janë faqet e financimit të ofertave dixhitale që lidhen me teknologjinë “Blockchain” , raporton Bloomberg.

Më shumë se 30 mijë njerëz kanë rënë preh e krimeve kibernetike, duke humbur mesatarisht 7,500 dollarë secili, tregojnë përllogaritjet e Chananalysis.

Është një shumë e madhe parash për një periudhë kohore kaq të shkurtër, thotë Jonathan Levin, bashkëthemelues i Chainalysis, softuerët dhe databaza e të cilit përdoren nga disa prej kompanive më të mëdha të Bitcoin dhe nga agjencitë amerikane të forcimit të ligjit.

“Skemat e mashtrimit dhe mashtruesit kriptomonedhave po ja dalin më së mirë krahasuar me kriminelët e fushave të tjera.”

Në të vërtetë, sasia e madhe e pasurisë që ka rënë pre e kriminelëve kibernetikë po i afrohet humbjeve të shkaktuara nga grabitjet në SHBA gjatë gjithë vitit 2015, që ishte 390 milionë dollarë, sipas statistikave të lëshuara nga Byroja Federale e Hetimeve.

Eteri u rrit me 0.3 për qind në 324.92 dollarë të enjten, sipas të dhënave nga coindesk, ndërsa bitcoin u rrit 0.4 për qind në 4.151,47 dollarë.

Shumica e sulmeve përfshijnë krijimin e faqeve të internetit ose llogarive të mediave sociale nga ku iu kërkohet investitorëve që të paguajnë me kriptomonedhë. Duke përdorur llogarinë e rreme, ata kërkojnë investitorët potencialë që të dërgojnë para në adresën e kriminelit.

Monedhat virtuale kanë hyrë edhe në Shqipëri, kryesisht bitcoin dhe etheri. Banka e Shqipërisë ka paralajmëruar së fundmi se investimi në monedha virtuale nuk ka asnjë garanci, dhe se nuk ka kompani të licencuara për këtë qëllim.

“Në kushtet e mungesës së rregullave që do të disiplinonin aktivitetin financiar dhe mbikëqyrjen e tyre, veprimtaria e këtyre subjekteve karakterizohet nga një shkallë e konsiderueshme rreziku dhe pasigurie, pa garanci të plota për mbrojtjen e klientëve nga humbja në investim. Nisur nga ky këndvështrim, përfshirja e çdokujt në këtë lloj veprimtarie mbetet një veprim në përgjegjësinë individuale të çdo personi që e ndërmerr atë”, ka pohuar BSH.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat