Hamza: Nuk do të ketë tatime dhe ngarkesa të reja për bizneset

Ekonomi

Hamza: Nuk do të ketë tatime dhe ngarkesa të reja për bizneset

Më: 19 shtator 2017 Në ora: 16:05
Ministri i Financave, Bedri Hamza

Ministri i Financave, Bedri Hamza, sot gjatë një takimi me drejtues të Odave Ekonomike të Kosovës, siguroi se bizneset nuk do të ngarkohen me taksa fiskale për mbushjen e buxhetit të shtetit.

Në këtë takim u diskutua për mundësitë e përmirësimit të ambientit të të bërit biznes në Kosovë.

Ministri Hamza tha se qëllimi i takimit është vendosja e një bashkëbisedimi për shtyrjen e proceseve përpara. Ai tha se bazat e sistemit tatimor kanë filluar në vitin 2008 dhe se në të ardhmen do të paraqiten nevojat që MF të reflektojë në politikat fiskale, me qëllim të përmirësimit të ambientit për biznes.

Hamza: Nuk kemi paraparë të vendosim tatime dhe ngarkesa të reja për biznesin

“Edhe në planin tonë të punës së Qeverisë te Ministria e Financave, fokusi kryesor I është dhënë mbështetjes dhe përkrahjes së sektorit privat. Sepse jemi të sigurt se sektori privat do të jetë bartësi kryesor I rritjes ekonomike dhe i krijimit të vendeve të punës të qëndrueshme. Gjatë këtij mandati në programin tonë Qeverisës nuk kemi paraparë që të ngritim normat tatimore, nuk kemi paraparë që të vendosim tatime dhe ngarkesa të reja për biznesin. Fokusi ynë është që ne si MF të mbesim të përkushtuar në hartimin e politikave tatimore që kanë për qëllim mbështetjen e prodhimit vendor”, tha ministri Hamza.  

Ai tha se çdo investitorë i huaj është i mirëpritur dhe i nevojshëm në Kosovë, mirëpo sipas tij, mbi të gjitha Qeveria do të jetë e kujdesshme për ndërmarrjet vendore të cilat janë prezente në Kosovë.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane Arian Zeka ngriti një shqetësim për rritjen e pagave në sektorin publik e paralajmëruar nga ministri Hamza. Kjo rritje, sipas tij, do të shtojë edhe më tepër hendekun financiar për sektorin privat. Ai tha se rritja pagave duhet të ndodhë në bazë të rritjes ekonomike.

Zeka: Rritja e pagave në përputhje me normën e zhvillimit ekonomik

“Duke iu referuar deklaratës tuaj (ministër Hamza) ditëve të fundit për rritjen e mundshme të pagave në sektorin publik, ne besojmë se një vendim i tillë do të rriste edhe më tej hendekun e pagesave të punonjësve në sektorin privat dhe do ta bënte sektorin publik edhe më the atraktiv për fuqinë punëtore në Kosovë. Do ta lente sektorin privat me mungesë të punonjësve.  Andaj, ne besojmë se një vendim i tillë duhet menduar mirë dhe duhet të jetë në përputhje me normën e zhvillimit ekonomik të vendit “, tha Zeka.

Duke iu referuar shqetësimit të drejtorit të Odës Ekonomike Amerikane për rritjen e pagave, ministri Hamza tha se rritja e pagave do të ndodhë në përputhje me mundësitë buxhetore dhe rritjen ekonomike. Ndërsa, ai kërkoi performancë më të lartë nga kompanitë private që të jenë gjenerues për rritjen e pagave edhe në sektorin privat.

Hamza: Pagat në sektorin publik do të rriten në përputhje me mundësitë buxhetore

“Ne duhet me punuar që edhe sektori privat ta vendosim në një nivel ku do të afaron me rezultat financiar pozitiv, ndërmarrjet të jenë rentabile duke ngritur produktiviteti i punës dhe do të rriten pagat edhe në sektorin privat. Sepse edhe ata që punojnë në sektorin privat kanë nevojë me mbajtur familjet e tyre. Andaj, ne i dimë sa janë pagat, sepse më shumë kam punuar në sektorin privat se sa në sektorin publik. Kështu që pagat në sektorin privat si rezultat i rritjes së produktivitetit, përmirësimit të ambientit për punë, lehtësimeve maksimale të mundshme dhe kështu unë jam I bindur se do të krijohen mundësit për me pasur rritje të pagave edhe në sektorin privat. Ndërsa, sa i përket sektorit publik, pavarësisht se ne kemi deklaruar se do të ketë rritje të pagave, do të ketë rritje të pagave në përputhje me mundësitë reale buxhetore dhe në përputhje me rritjen ekonomike”, tha ministri Hamza.

Drejtori ekzekutiv i Odës së Afarizmit të Kosovës Ismet Mulaj tha se pakoja fiskale ende nuk është e plotë dhe duhet Qeveria e re të punojë  në këtë drejtim për të krijuar një barazi në treg.

Ai tha se sfidë është se Kosova ende nuk ka arrit të krijoj një ofertë për investimet në Kosovë. Mulaj shtoi se bizneset e Kosovës po hasin në probleme me barriera tregtare të cilat po i aplikojnë shtetet e rajonit

Mulaj: Kosova ende nuk ka arrite të krijojë një ofertë për investimet

“Si shqetësim kryesor është të bëhet një hap tutje me pakon e dytë fiskale, nuk është e plotë, ka ende kërkesa që janë me interes që mund të përmirësohet ajo pako dhe në një farë mënyre do t’i zgjidhte problemin e madh me atë që po quhet barazi në tregun vendor. Unë sot kam marr një ankesë prej një biznesi, i cili thotë se: “Produktet tona dalin dy herë më të shtrenjta, për shkak se produktet të cilat vijnë prej rajoni vijnë me çmime damping dhe në këtë mënyrë po dalim në treg të pabarabartë”. Po ashtu, një nga sfidat kryesore është se Kosova ende nuk ka arritur të krijojë një ofertë për investimet në Kosovë, një ofertë të kompletuar”, tha Mulaj. 

Ai kërkoi nga Qeveria funksionalizimin e parqeve të bizneseve.

Ndërsa, Nora Hasani nga Oda Ekonomike Gjermane tha se është me rëndësi të fillojë implementimi i Pakos fiskale 2.0, e cila nuk duhet të shihet diçka si politike.

Nga Klubi i Prodhuesve Astrit Shabani kërkoi nga ministri Hamza, se çka mund të presin prodhuesit kosovarë nga puna e Ministrisë për Financa.

Arben Fetahu nga Oda Ekonomike Turke, tha se klima politike në muajt e fundit ka pasur ndikime negative në Kosovë për ekonomi dhe sipas tij, këto gjithsesi se duhet angazhim për tejkalim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat