Hapet panairi i Agrobiznesit, Prishtina pikëtakim për biznese ndërkombëtare

Ekonomi

Hapet panairi i Agrobiznesit, Prishtina pikëtakim për biznese ndërkombëtare

Më: 18 tetor 2017 Në ora: 13:03
Pamje nga panairi

Panairi Ndërkombëtar i Agrobiznesit dhe Pijeve, është hapur sot dhe po shihet si një mundësi e mirë për bizneset vendore që të promovojnë produktet e tyre, si dhe pikëtakim i bizneseve ndërkombëtare.

Bekim Xhafa, në emër të organizatorëve tha se organizimi i 17-të me radhë i këtij Panairi është dëshmia më e mirë e suksesit të këtij aktiviteti.   

Sipas tij, këtë vit Panairi ka marrë edhe më shumë rëndësi meqenëse Holanda ka zgjedhur të shtrijë pavionin e saj për Ballkan pikërisht në Prishtinë, ndërsa theksoi se të gjitha bizneset pjesëmarrëse në këtë panair targetojnë tregun vendor dhe atë të regjionit, duke e bërë kryeqytetin si pikëtakim të panaireve internacionale. 

Gjafa: Përmes këtij panairi, Prishtina po bëhet pikë takimi për bizneset në regjion

“Unë këtë herë ndjehem shumë mirë që për herë të parë, pavioni i Qeverisë së Holandës ka zgjedhur Prishtinën që të shtrihet në Ballkan, dhe ka zgjedhur Agrokos-in për të targetuar jo vetëm tregun e Kosovës, por edhe tregun e regjionit. Kjo pra e konfirmonin që në evenimentet që i organizojmë ne, për çdo ditë e më shumë po bëhen pikë takimi të bizneseve në regjion”, tha ai.

Në emër të kryeministrit të Kosovës foli këshilltari i tij, Haki Shatri, i cili tha se Qeveria e Kosovës dhe institucionet e vendit janë të orientuara në përkrahjen e bizneseve dhe në shmangien e të gjitha pengesave që mund të dalin gjatë rrugës.

Shatri: Qeveria e Kosovës është e përkushtuar në promovimin e tregtisë së lirë

“Më lejoni t’iu them se Qeveria e Kosovës dhe institucionet e Kosovës, janë të përkushtuara në promovimin e konkurrencës së lirë, ekonomisë së tregut të hapur dhe përkrahjes së bizneseve vendore dhe atyre që vijnë nga vendet e regjionit dhe më larg, që të shmangin të gjitha pengesat eventuale dhe njëherit t’iu garantojmë dhe rekomandojmë se për çdo problem që iu del, kabineti i Kryeministrit është i hapur që t’iu pres, të shqyrtojë dhe të eliminojë ato pengesa”, tha ai.

Ambasadorja e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Gerrie Willems, u shpreh e lumtur që Holanda po merr pjesë për herë të parë me pavionin e saj në Panairin e Agrobiznesit.

Ajo theksoi se Holanda është partner dhe investitor kyç në sektorin bujqësor të Kosovës dhe të vendeve në rajon. Sipas saj, klima, burimet natyrore dhe tradita në bujqësi në Kosovë në njërën anë dhe njohuritë dhe ekspertiza holandeze në anën tjetër paraqesin një bazë të mirë për bashkëpunim dhe zhvillim të ndërsjellë.

Ndërkaq, ambasadorja e Holandës nuk la pa përmendur edhe MSA-në, implementimi i së cilës sipas saj, ndihmon edhe zhvillimin e tregtisë së lirë.

Willlems: Kosova shihet si një mjedis i qëndrueshëm për bizneset e vendeve tjera

 “Ajo çfarë është me rëndësi të madhe për kompanitë, para konsiderojnë ardhjen e tyre në Kosovë apo në ndonjë vend tjetër në rajon është se kjo (Kosova), shihet si një mjedis biznesi i qëndrueshëm dhe i parashikueshëm, që ka besim në investimet e tyre, në bizneset e tyre dhe se bizneset e tyre janë të sigurta këtu. Dhe këtu vjen qeveria dhe zbatimi i MSA-së me BE-në”, tha ajo. 

Edhe drejtori  i Agjencisë për Promovimin e Investimeve të Huaja(KIESA)  Besian Mustafa,  potencoi rëndësinë e zbatimit të MSA-së, përderisa theksoi se kanë për qëllim përkrahjen e bizneseve të vogla dhe të mesme me synim final rritjen e eksportit kosovarë.

Mustafa: Ndërmarrjet kosovare të shfrytëzojnë përparësit e MSA-së

“Jam shumë krenar që kemi arritur të bashkëfinancojmë pjesërisht organizimin e Agrokos-it 2017-të, veçanërisht prodhuesit kosovarë... Dua të reklamoj një shërbim të agjencisë KIESA, duke i ftuar kompanitë kosovare dhe ato prodhuese, që kanë dëshirë ose plane, që të përfitojnë nga nënshkrimi i MSA-së, pra i tregtisë së lirë me Bashkimin Evropian”, tha Mustafa. KIESA e ka financuar këtë Panair me 10 mijë euro.

Ndërmarrjet pjesëmarrëse në këtë panair kanë vlerësuar rëndësinë që kanë organizimet e tilla, pasi që iu ofrojnë qasje direkte me konsumatorët.

Ndërkaq, menaxheri i kompanisë prodhuese “MEKA”, Pirro Piraj, theksoi rëndësinë masave lehtësuese që ka marrë Qeveria Haradinaj për bizneset në Kosovë.

Po ashtu, ai u shpreh se aktivitete të tilla si ky i Agrokos-it janë mundësi të mira për të ndërmarrjet prodhuese, ndërsa tha se kjo u jep mundësi që të marrin edhe kritika dhe sugjerime nga qytetarët.

Piraj: Masat lehtësuese kanë mundësuar pjesëmarrje të barabartë në treg

“Deri tash ka qenë shumë vështirë të jesh konkurrent në treg për arsye të këtyre pengesave që i kemi pasur. Pra nga tash prodhuesit vendor janë të barabartë në treg dhe kjo është shumë e mirëseardhur për ne si prodhues”, tha ai.

I pranishëm në këtë ceremoni të hapjes së panairit ishte edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili tha se panairet që i organizon CeoKos janë shumë të rëndësishme për komunën e Prishtinës, përderisa theksoi se gjithnjë do të jenë  përkrah bizneseve për të realizuar panaire të tilla.

Të pranishëm në hapje të panairit ishin edhe Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, si dhe deputeti Albin Kurti, me ç'rast vizituan panairin dhe provuan disa nga produktet e prezantuara në kuadër të panairit, i cili do të zgjasë deri më  20 tetor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat