Prodhuesit përballen me pengesa të shumta për të eksportuar produktet e tyre

Ekonomi

Prodhuesit përballen me pengesa të shumta për të eksportuar produktet e tyre

Më: 6 nëntor 2017 Në ora: 13:04
Takimi me prodhuesit

Pengesat më të mëdha të prodhuesve vendor për të eksportuar produktet e tyre janë kostot e larta të transportit, proceduarat jo efikase doganore, garancitë bankare të kushtueshme si dhe vështirësitë në arritjen e standardeve ndërkombëtare të cilësisë.

Kështu u tha në Konventën e Veshmbathjeve e cila u mbajt për herë të parë në Kosovë.    

 Qëllimi kryesor i kësaj Konvente është që të avancojë zhvillimin dhe rritjen e industrisë së veshmbathjeve në Kosovë.

Me rastin e hapjes së kësaj ngjarje kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se Qeveria e mund të kthehet në një partner të mirë të prodhuesve vendor,  të cilët jo vetëm që kanë arritur që të krijojnë produktet e veta, por tani e kanë mundësinë që këto produkte të mbërrijnë në tregjet e jashtme.

Haradinaj tha se bilanci tregtar i Kosovës nuk është i mirë, pasi që sipas tij në Kosovë  importohet shumë.

Haradinaj: Bilanci tregtar i Kosovës nuk është i mirë, ju e dini importojmë shumë

“Qeveria e vendit po ashtu duhet me u bë pjesë dhe me përkrah jo vetëm ekspozitat e ndryshme, panairet e ndryshme, plasimin e produkteve tona, tuajat nëpër tregje, por edhe me i shpreh falënderim të vazhdueshëm partnerëve që ju përkrahin, që janë me ju dhe që janë me ne me ekonominë e vendit. Bilanci tregtar i Kosovës nuk është i mirë, ju e dini importojmë shumë. Ndërsa, në ta quajmë industrinë e veshmbathjes ka shumë potencial të pashfrytëzuar, ajo që në botë njihet si ‘hand made’, pra e bërë me dorë zakonisht është produkt i lakmuar dhe është më i kërkuari. Unë e di që ne në Kosovë edhe pse nuk e quajmë ‘hand made’ shumica e asaj që e prodhojmë është punë e duarve të çmuara, është punë e njerëzve që vërtetë mundet me qenë garuese në tregjet botërore”, tha Haradinaj.

Po ashtu, kreu i Qeverisë së Kosovës, tha se nuk do të përtojë që të gjejë mënyra se si Qeveria  të jetë me prodhuesit e vendit.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, tha se ministria që ai udhëheq po punon me përkushtim në adaptimin e politikave stimuluese në mënyrë që të krijojnë një ekosistem të përshtatshëm që do të ndihmonte dhe fuqizonte ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Kreu i MTI-së, sa i përket industrisë së tekstilit tha se numri i ndërmarrjeve aktive të kësaj industrie gjatë vitit 2016 ka qenë 355, ku Prishtina prin me gjithsej 62 ndërmarrje. Ai tha se vlera eksportuese e këtij sektori në vendet e CEFTA-së, BE-së dhe vendeve të tjera për vitin 2016 ka qenë rreth 24 milionë euro apo në përqindje prej 9.75 përqind.

Hasani tregoi edhe pengesat më të mëdha që prodhuesit vendor hasin për të eksportuar produktet e tyre.

Hasani: Pengesën më të madhe për të eksportuar janë kostot e larta të transportit

“Pengesën më të madhe për të eksportuar janë kostot e larta të transportit, procedurat jo efikase doganore, garancitë bankare të kushtueshme dhe vështirësi në arritjen e standardeve ndërkombëtare të cilësisë. Në këtë rast, mbetet sfidë jo e vogël adaptimi i standardeve, ngritja e cilësisë dhe rritja e konkurrueshmërisë së kompanive tona krahas atyre të vendeve të BE-së. Kosova do të ketë partneritet dhe bashkëpunim të ngushtë me institucionet e BE-së, nga të cilat do të mund të përfitoj edhe asistencë teknike dhe financiare”, tha ministri.  

Ushtruesja e detyrës së Drejtorit të Misionit të USAID në Kosovë, Lisa Magno, tha se lajm i mirë është se sektori i veshmbathjeve është duke u bërë një fuqi e vërtetë në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Magno: Ky sektor është duke u bërë një fuqi e vërtetë në ekonominë e Kosovës

“USAID është krenar të jetë partner me ju, të krijoj lehtësira në treg dhe të ofroj ndihmë teknike dhe grante për të përkrahur bizneset e Kosovës në zhvillimin e tyre. Lajm i mirë është se ky sektor është duke u bërë një fuqi e vërtetë në ekonominë e Kosovës dhe një lajm edhe më i mirë se ky është se ka akoma hapësirë për tu zhvilluar. Ne shpresoj që ky zhvillim do të vije përmes përparimeve dhe përmirësimeve të reja në proceset e prodhimit përmes teknologjive të reja dhe përmes produkteve të reja. Do të vije edhe duke rritur edhe efikasitetin edhe kapacitetin dhe për këtë Kosovës i duhet një bazë shumë më e gjerë e punonjësve shumë të aftë që të bëjë atë punën delikate që kosovarët e bëjnë”, tha ajo.

Ndërkaq, Kryetarja e Bordit të Shoqatës së Kosovës për Marketing të Veshmbathjeve, Bardha Sadrija, bëri të ditur se e kanë organizuar këtë konventë për të promovuar kompanitë kosovare.

Sadrija: Qëllim është promovimi i kompanive kosovare

“E kemi organizuar këtë konventë me qëllim të promovimit të kompanive kosovare dhe të produkteve të prodhuara në Kosovë, lidhjen e bizneseve dhe dhënies së mundësisë edhe studentëve të rinj që studiojnë në fushën e dizajnit të veshmbathjeve”, bëri të ditur ajo.

Pjesë e Konventës kanë qenë forume të industrisë ku ekspertë ndërkombëtarë dhe vendorë kanë prezantuar në tema kyçe të industrisë së veshmbathjeve.

Konventa gjithashtu ka përmbajtur një ekspozitë të veshmbathjeve të prodhuara në Kosovë nga 22 kompani, takime në mes bizneseve, një sfilatë të veshmbathjeve të prodhuara në Kosovë, garën studentore për dizajn, ku studentët që vijojnë studimet në dizajn të modës do të prezantojnë dizajnet e tyre, dhe një ceremoni ku do të ndahen çmimet për fituesit e garës për dizajnin më të mirë.

Konventa e parë e veshmbathjeve të Kosovës është organizuar nga USAID EMPOWER sektori privat dhe Shoqata Kosovare për Marketing të Veshmbathjeve, ndërsa është financuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat