Hasani: Jemi zotuar për zbatimin e marrëveshjeve dhe hapjen e tregut të dy vendeve

Ekonomi

Hasani: Jemi zotuar për zbatimin e marrëveshjeve dhe hapjen e tregut të dy vendeve

Më: 8 nëntor 2017 Në ora: 17:06
Bajram Hasani

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë Bajram Hasani dhe ministri i Bujqësisë së Shqipërisë, Niko Peleshi, janë dakorduar që të krijojnë një stratëgji kombëtare për lehtësimin e barrierave doganore për produktet e dy vendeve.

Ministri Hasani, i cili qëndroi sot për një vizitë në Tiranë, pas takimit me ministrin Peleshi, tha se u zotuan që të ketë lehtësime në produktet e dy vendeve që të eksportohen në Kosovë e Shqipëri.

Ai theksoi se strategjia kombëtare për të cilën u dakorduan me ministrin Peleshi, do të mundësojë që produktet që prodhohen në Shqipëri të mund të eksportohen pa probleme në Kosovë, sikurse edhe ato të Kosovës të eksportohen në Shqipëri.

Hasani: U dakoruam që të hartojmë një strategji kombëtare

“Ne u dakorduam që të bëjmë një strategji kombëtare që ato produkte që i ka Shqipëria të mund t’i eksportojë në Kosovë, t’i japim hapësirë, por në të kundërtën edhe ato të cilat Kosova ka prodhim që t’i hapet tregu i Shqipërisë. Mendojmë që kjo duhet realisht të ndodh, sepse kanë qenë edhe më herët bashkëpunime të tilla, por nuk janë jetësuar deri në fund. Kështu që presim që këto bashkëpunime të thellohen dhe t’i hapim treg edhe në Kosovë, por natyrisht edhe Shqipëria të hap mundësi Kosovës drejt eksportit”, tha Hasani.

Po ashtu, ministrat Hasani e Peleshi janë zotuar për zbatimin e marrëveshjeve të arritura më herë, por që ende nuk janë zbatuar në tërësi.

Hasani: U zotuam që marrëveshjet e arritura të zbatohen

“I përsëritëm natyrisht disa çështje që nuk janë implementuar deri me tani, kanë qenë disa memorandume që nuk janë zbatuar. Kanë qenë realisht të firmosura edhe më herët, por nuk janë jetësuar. Ne u zotuam që këto marrëveshje që kanë qenë deri me tani të fillojë jetësimi i tyre”, tha Hasani.

Gjatë vizitës në Shqipëri, ministri Hasani është pritur edhe nga ministri i Mjedisit dhe Turizmit Blendi Klosi, me të cilin kanë diskuar rreth rritjes së turizmit në të dy vendet.

Hasani theksoi se në fillim të dhjetorit do të organizohet një konferencë bashkë me Ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit të Shqipërisë për të turizmin, ku do të ftohen edhe investitorë që të investojnë në turizëm në Kosovë e Shqipëri, ndërsa do të diskutohet edhe për sfidat e sektorit të turizmit në dy vendet.

Ministri Hasani bashkë me ministren e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, janë pritur edhe nga presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, me të cilin kanë diskutuar për çështje me rëndësi për dy vendet.

Gjatë kësaj vizite të ministrit Hasani, temë diskutimi ka qenë edhe koordinimi për mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, e cila pritet të mbahet në fund të këtij muaji.

Kjo vizitë e Hasanit në Shqipëri u bë me qëllim që të vazhdojë thellimi i bashkëpunimit mes dy vendeve dhe hapjen edhe më të madhe të tregut, pas paralajmërimeve të Serbisë se do të ndalojnë eksportin e disa produkteve, për në Kosovë, siç është gruri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat