Të hënën dalin informatat për cilësinë e naftës së autoboteve të inspektuara

Ekonomi

Të hënën dalin informatat për cilësinë e naftës së autoboteve të inspektuara

Më: 11 nëntor 2017 Në ora: 14:05
Ministri Hasani, inspektimin e autoboteve të derivateve të naftës e ka filluar në pikën doganore në Prishtinë

Për herë të parë në Kosovë ka filluar inspektimi i autoboteve të naftës në të gjitha pikat doganore, me qëllim të kontrollit të cilësisë së naftës, ndërkohë që është bërë e ditur se të hënën do të jepen të gjitha informatat lidhur me cilësinë e naftës së autoboteve të inspektuar gjatë ditës së sotme.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, inspektimin e autoboteve të derivateve të naftës e ka filluar në pikën doganore në Prishtinë.

Ai tha se MTI së bashku më doganën kanë lëshuar shkresë që të gjitha autobotet që hyjnë me derivate të naftës të ndalen në dogana, me qëllim që të kontrollohet cilësia e tyre.

Sipas tij, ky aksion është bërë për herë të parë në Kosovë dhe përveç kontrollimit të cilësisë së naftës, ka synim që të largojë  shqetësimet e qytetarëve lidhur me kualitetin e naftës.

Hasani: Hera e parë që bëhet inspektimi i autoboteve

“Ne së bashku me doganën sot kemi qenë të koordinuar dhe kemi lëshuar një shkresë që të gjithë autobotet që hyjnë me derivate të naftës të ndalen në doganë. Sot janë paralajmëruar të gjitha pikat doganore që të gjitha ato autobotet që kanë hyrë nga dje prej orës 11:30 deri më tani asnjë autobot nuk ka kaluar. Qëllimi është  kontrollimi i cilësisë. Së bashku me kryeinspektorin, së bashku me doganën kemi filluar aksionin dhe është hera e parë që po merret një aksion kaq i madh në Kosovë, dhe po besojmë se këto analiza do të na dalin që edhe qytetarët ta heqin shqetësimin sa i përket importit”, tha ai.

Sipas tij të hënën do të jepen të gjitha informatat lidhur me cilësinë e naftës së autoboteve të inspektuar gjatë ditës së sotme.

Ministri Hasani po ashtu tha se nuk do të ndalen me kaq dhe do të vazhdojnë me aktivitete tjera, ndërsa shprehet se  mbetet shumë punë edhe në kontrollin e tregut të brendshëm.

Ndërkaq, kryeinspektori i tregut në MTI, Lulzim Syla tha për KosovaPress se në tregun e brendshëm janë prezent dhe aksione të tilla do të organizojnë çdo herë kur është nevoja dhe kur dyshojnë në cilësinë e derivateve të naftës.

Syla: Do bëjmë aksione të tilla kur të është nevoja

“Edhe në tregun  e brendshëm na jemi prezent dhe do të bëjmë aksione të tilla çdo herë, në çdo moment kur është nevoja dhe kur të dyshojmë në cilësinë e derivateve të naftës. Për momentin jemi së bashku duke bërë kontrollin këtu në ZBD “Prishtina”, por do të vazhdojmë edhe në Ferizaj, edhe në Prizren, Pejë, Podujevë“, tha ai.

Sipas tij këto inspektime të autoboteve të naftës nuk do të shkaktojnë vonesa që kompanitë të furnizohen me derivate dhe i gjithë ky proces do të varet nga cilësia e naftës dhe puna laboratorike.

Shefi i ndërrimit në Zyrën e Brendshme Doganore në Prishtinë, Gëzim Marmullaku për KosovaPress bëri të ditur se për këtë inspektim sot janë informuar dhe sipas tij Dogana e Kosovës kontrollin e derivateve e bënë çdo ditë.

Ai po ashtu tha se së bashku me ministrin Hasani kanë ndërmarrë këtë aksion për të larguar dilemat e qytetarëve lidhur me cilësinë e naftës në vend.

Marmullaku: Kontrolli i derivateve, dogana e bën çdo ditë

“Kontrolli i derivateve dogana e bën çdo ditë për çdo import. Analizat bëhen në laborator të doganës. Deri tani nuk ka pasur ndonjë problem, por sot me ministrin dhe trupën inspektuese të ministrisë kemi ndërmarrë një aksion për me i heq dilemat e qytetarëve se nafta besoj që është cilësore”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat