Gërxhaliu: Kostoja e energjisë, shtrenjton prodhimet e Kosovës

Ekonomi

Gërxhaliu: Kostoja e energjisë, shtrenjton prodhimet e Kosovës

Më: 23 nëntor 2017 Në ora: 11:50
Safet Gërxhaliu

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu tha se një problem i madh për Kosovën dhe bizneset e saj është mungesa dhe problemi i energjisë elektrike.

“Është keq që pas shumë viteve që të kemi këtë problem me energji elektrike. Për shkak të kostos së energjisë elektrike prodhimet e Kosovës janë mbi 10 për qind”, tha ai në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë”.

Sipas tij, duhet të ketë subvencionim të prodhimeve vendore.

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka lansuar edhe platformën online për hartimin e biznes planeve. Ky aktivitet u organizua në kuadër të aktivitetit “Asistencë në krijimin e planeve të biznesit për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (NVM) në Kosovë”.

Kryetari i OEK-ut, Safet Gerxhaliu tha se Biznes plani është çelësi i absorbimit të mjeteve nga Bashkimi Evropian për të gjitha bizneset.

“OEK përmes kësaj platforme synon lehtësimin e të bërit biznes në Kosovë, ngase një pjesë e madhe e kompanive nga Kosova nuk kanë të zhvilluar plan të biznesit çka edhe ndikon në uljen e konkurrueshmërisë së tyre dhe njëherë rritjen e vështirësive për qasje në financa”, tha Gërxhaliu.

Ky projekt sipas tij, është i një rëndësie të veçantë në aspektin ekonomik.

“Ky është një partneritet që ka një rëndësi shumëdimensionale në aspektin ekonomik, është një partneritet i cili do të gjeneroj diçka që është shumë e rëndësishme për sektorin privat, në veçanti për NMV-të dhe po e forcojmë një mekanizëm që është çelësi i suksesit për të absorbuar mjetet çoftë nga Bashkimi Evropian, qoftë nga donatorët sepse mekanizmi kyç i absorbimit është biznes plani dhe besoj që një faqe e tillë e dizajnuar dhe e përgatitur me standarde dhe kritere evropiane është e një rëndësie të pakontestueshme”, tha Gerxhaliu .

Ai theksoi se janë duke kërkuar integrim ekonomik dhe të avancojnë internacionalizimin e ndërmarrësisë së Kosovës si dhe të bartin përvojat nga vendet e zhvilluara, në veçanti nga vendet që e kanë kaluar tranzicionin.

“Nga dimensioni integrues është një dëshmi që krahas integrimit politik që është tagret institucional jemi duke kërkuar integrimin ekonomik që të avancojmë internacionalizimin e ndërmarrësisë kosovare, që të bartim përvojat nga vendet e zhvilluara në veçanti nga vendet që e kanë kaluar tranzicionin. Besoj që në këtë drejtim bashkëpunimi dhe përvoja e Çekisë është e mirëseardhur”, Gërxhaliu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat