Nga janari nuk do të ketë akcizë për lëndët djegëse - Bota Sot
Nga janari nuk do të ketë akcizë për lëndët djegëse

Ekonomi

E premte, 15 dhjetor 2017

Nga janari nuk do të ketë akcizë për lëndët djegëse

Më: 25 nëntor 2017 Në ora: 17:02
Ministri i Financave, Bedri Hamza

Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka thënë se ministria që ai drejton nuk ka paraparë ngritje të normave tatimore, me qëllim që të krijojë kushte dhe ambient të përshtatshëm për zhvillimin e bizneseve.

Ai këto komente i bëri sot gjatë një takimi me bizneset dhe kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu.

Hamza tha se pjesën më të madhe të buxhetit të ardhshëm e zënë investimet kapitale me një shifër prej 687 milionë euro dhe kjo është bërë që të ketë përmirësime direkte te bizneset.

Me qëllim që të rritet sundimi i rendit dhe të ligjit në vend, ministri Hamza tha se kanë reflektuar në rritje të buxhetit në këtë sektor duke dhënë mundësi që në sistem e drejtësisë të punësohen edhe 690 punëtorë.

Hamza: Nuk kemi paraparë asnjë tatim të ri

“Në planin tonë të punës të qeverisë, Ministria e Financave nuk ka paraparë asnjë taksë asnjë tatim të ri. Nuk kemi paraparë ngritjen e normave tatimore, nuk kemi paraparë barra të reja tatimore për bizneset krejt këtë me qëllim që ne të krijojmë ambient që ju të rriteni dhe të zhvilloheni se qëllimi jonë është që buxheti të mbushet dhe të rritet përmes rritjes ekonomike jo përmes ngarkesave, tatimeve. Pjesën më të madhe të buxhetit të ardhshëm e nxënë investimet kapitale janë 687 milionë euro. Unë dua të besoj në kapacitetin e organizatave buxhetore edhe 687 milionë euro mu investuar në pjesën e shpenzimeve kapital në Kosovë kanë me prodhuar efekte negative është e pa mundur pa e prodhuar efektin negativ prandaj është një shumë bukur e madhe e cila do të ndikoj në përmirësimin e jetës, por do të krijojë punë direkte dhe indirekte për bizneset. Kemi reflektuar në rritjen e buxhetit edhe për këshillin prokuroria edhe për këshillin gjyqësor të Kosovës dhe në raport me numërim aktual të punësuarve kanë mundësi që t’i punësojnë edhe 690 pozita të reja, prokurorë, gjyqtarë, dhe punëtorë profesionalë”, tha ai.

Ministri i Financave tha se prioritet i kanë dhënë edhe sektorit të arsimit dhe rreth 26 për qind ka rritje buxheti për arsim, derisa për shëndetësi tha se ka rritje buxhetore 22 për qind, duke përfshirë edhe barnat esenciale dhe shpenzimet kapitale.

E për sektorin privat Hamza tha se është reflektuar te fondi për garantimin e kredive tek i cili është rritur kapitali me qëllim që ky fond të garantojë kredi sidomos për gjeneratat e reja dhe për gratë në biznes.

Në strategjinë legjislative për vitin e ardhshëm ai tha se do të fusin të gjitha pakot e ligjeve ekonomike duke përfshirë kodin e doganave dhe akcizës, ligjin për TVSH, ligji për tatim të korporatave.

Po ashtu ai u premtoi bizneseve se asnjë ligj nuk do të kalojë në qeveri e Kuvend pa imputet e tyre.

Hamza: Do të fusim kodin e doganave

“Në strategjinë legjislative për vitin e ardhshëm ne do t’i fusim edhe kodin e doganave dhe të akcizës edhe ligjin për TVSH-në edhe ligjin për tatim të korporatave edhe ligjin për tatim të të ardhurave individuale dhe komplet pakon e ligjeve ekonomike. Nuk do të procedoj as në qeverisë as Kuvend asnjë nga këto ligje pa i marrë imputet tuaja. Nuk dëshiroj me bë ligje që ju prekin juve pa pas kontributin tuaj dhe iu siguroj që gjithçka që është në përputhje me standardet me direktivat me praktikat e mira, me nevojat specifike të ekonomisë të Kosovës kemi me i marrë në konsideratë”, tha ai.

Hamza u tha biznesmenëve të pranishëm në takim  se nuk do të lejojë pabarazi biznesore në treg, por do të ketë trajtim të barabartë për të gjithë.

Në këtë takim ministri i Financave tha se vendimi për udhëzimin e  banderolave pret që të zbatohet nga agjencionet përgjegjëse për këto çështje, ndërsa kontrollet do të bëhen në mënyrë elektronike me standarde dhe indikatorë, si dhe të shkurtohet koha për ribursim dhe kontrollim.

Hamza tha se janë duke krijuar Odën e përbashkët Shqipëri-Kosovë, me qëllim të rritjes së bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, trajtimit korrekt të prodhuesve kosovarë në tregun e Shqipërisë, dhe përveç bashkëpunimit bilateral bashkërisht të kenë qasje edhe në fondet e BE-së në të cilat kanë qasje ekonomia e Shqipërisë.

Ndërsa, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu e ka lavdëruar për punën që e ka bërë ministri i Financave, Bedri Hamza për krijimin e një ode të përbashkët Shqipëri-Kosovë dhe eliminimit të barrierave që godasin sektorin prodhues në Kosovë për të depërtuar në tregun e Shqipërisë.

Ai tha si OEK e kanë mbështetur buxhetin e vitit 2018, pasi është paraparë rritje buxhetore edhe për sundimin e rendi dhe ligjit, si dhe lehtësira për lëndën e parë.

Gërxhaliu:  E kemi mbështetur buxhetin për vitin 2018

“E para ka të bëjë se për herë të parë në ligjin e viti 2018 parashihet një mbështetje substanciale e sundimit të rendit dhe ligjit. Ne mund të flasim për dukuri negative në shoqërinë kosovare, por emëruesi i përbashkët i këtyre problemeve është sundimi i rendi dhe ligjit dhe për herë të parë kemi rritje të buxhetit për këtë proces. E dyta është për lehtësirat që janë paraparë për lëndën e parë që besoj do të jenë prapë në funksion të rritjes së kapaciteteve të juaja. Ajo çka është më interesante që e bënë këtë buxhet edhe më të atraktiv janë rritja e investimeve në edukim”, tha ai.

Gërxhaliu tha se sektori privat është duke ecur me hapa të sigurt dhe të shpejtë sesa politika duke i konsideruar pronarët e bizneseve si heronj të vendit që punësojnë qindra njerëz.

Gjatë këtij takimi, biznesmenët kanë paraqitur disa brenga të tyre siç janë largimi i barrierave për prodhimet kosovare, ndryshimi i udhëzimit administrativ për skemën e veçantë për arin e investueshëm, eliminimi i akcizës për gaz dhe mazut.

Gërxhaliu përmendi rishikimin e buxhetit me vonesë si pengesë me të cilën është ngulfatur sektori privat.

E për kërkesën e fundit ministri i Financave, Bedri Hamza pati një përgjigje të qartë kur tha se nga 1 janari do të largohet akciza për të gjitha lëndët djegëse.

Hamza: Nga janari lëndët djegëse janë liruar nga akciza

“Të gjitha lëndët djegëse që përdoren në procesin e prodhimit prej janarit të vitit të ardhshëm janë të liruara prej tatimit të akcizës dhe është mirë që kjo çështje ka kaluar edhe në komisionin për buxhet dhe financa, ka pasur diskutime, por është mirë që nuk i kemi dalluar lëndët djegëse”, tha ai.

Derisa për heqjen e barrierave tha se këtë çështje e ka ngritur edhe te BE-ja pasi konsideron se prodhuesit vendorë janë të pa barabartë me ata të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test