Për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” do të punësohen 10 mijë persona

Ekonomi

Për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” do të punësohen 10 mijë persona

Më: 15 dhjetor 2017 Në ora: 00:35
ilustrim

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka sqaruar në detaje në “Interaktiv”, se çfarë do të ndodhë me ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.

Ai ka thënë se tashmë tetë marrëveshjet që kërkoheshin janë arritur me firmën amerikane “Contour Global”, dhe se kanë mbetur vetëm disa detaje teknike që nuk mund ta dëmtojnë marrëveshjen.

Ka thënë se i gjithë investimi do të jetë i kësaj kompanie, ndërsa Qeveria e Kosovës po shikon mundësinë që të investojë një kredi prej 100 deri në 200 milionë euro, investim i cili do t’i kthehet prapa kur të nisë gjenerimi i mjeteve nga “Kosova A”.

Lluka ka thënë se në ndërtimin e këtij termocentrali do të punësohen 10 mijë persona. Ai do të ndërtohet për rreth 3 vjet e gjysmë deri në 4 vjet.

“Është një ndikim mjaft i madh pozitiv për ekonominë e vendit, vetëm ky projekt do të mund ta çojë në 5 për qind rritjen ekonomike”, ka thënë Lluka.

Ai ka treguar se të punësuar të rregullt në këtë termocentral do të jenë rreth 500 veta.

“‘Kosova A’ do të mbyllet tërësisht në momentin që do të nisë punën ‘Kosova e Re’ sepse është jashtëzakonisht i vjetër dhe i amortizuar tërësisht. Kosova B do të rehabilitohet, e ky rehabilitim përfshin ndryshimin e bojlerëve dhe filterëve”, ka thënë ai.

Lluka ka thënë se tradicionalisht gjatë muajve janar dhe shkurt, për shkak të motit, faturat e energjisë elektrike në Kosovë shtrenjtohen. Ai ka thënë se kjo mund të ndodhë edhe në këtë fillim të vitit 2018.

Lluka ka folur edhe për rastin e ultimatumit të kryeministrit Ramush Haradinaj për Shipitullën dhe Haden, duke thënë se ai ka të drejtë në këtë aspekt.

Ministri Lluka ka folur edhe për 5 zëvendësministrat e tij. Ndonëse janë emëruar, Lluka ka thënë se vetëm për tre prej tyre ka arritur që të gjejë detyra, ndërsa për dy prej tyre thotë se është në kërkim të detyrave që mund t’u ndahen.

“Pra jemi në fazën e sistemimit, sepse duhet t’ia përshtatim pak edhe CV-ve të tyre dhe asaj që ata mund ta bëjnë më së miri”, ka thënë Lluka.

Lluka ka shprehur besimin e plotë se gjykimi që është duke ndodhur ndaj tij për “konflikt interesi” do ta shpallë atë të pafajshëm.

“Qendra e Inovacionit në Gjakovë nuk është e imja. Unë kam qenë si bashkëthemelues jo si Vladrin Lluka por si institucion, si drejtor në Agjencinë për Promovim të Investimeve në MTI”, ka thënë Lluka. Ai ka thënë se nuk ka nevojë për dëshminë e Mimoza Kusari Lilës dhe Bernard Nikajt që kanë qenë ministra në kohën sa ky ka qenë drejtor në MTI, por ka shprehur bindjen se do të kishte dëshmitë e tyre në favor të tij nëse kjo do të kërkohej.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat