GAP: Udhëzimi i ri vazhdon monopolin në homologim, Qeveria mos ta miratojë

Ekonomi

GAP: Udhëzimi i ri vazhdon monopolin në homologim, Qeveria mos ta miratojë

Më: 15 dhjetor 2017 Në ora: 14:55
Ilustrim

Instituti GAP kërkon nga Qeveria e Kosovës që të mos e miratojë udhëzimin e ri administrativ, i cili synon që kompanisë aktuale të autorizuar për homologim t'ia vazhdojë monopolin.

Sipas GAP, Udhëzimi Administrativ i Ministrisë së Infrastrukturës për Përcaktimin e Kushteve dhe Procedurave për Homologim të Mjeteve Rrugore, i nxjerrë për konsultim publik më 23.11.2017, përmban elemente që kufizojnë konkurrencën e lirë dhe futjen në treg të subjekteve tjera.

“Sipas Kushtetutës së Kosovës, neni 119, “Veprimet që kufizojnë konkurrencën e lirë përmes vendosjes ose abuzimit të pozitës dominuese, ose praktikave që e kufizojnë konkurrencën, janë të ndaluara."Kosova është i vetmi shtet në rajon që ka monopol në homologimin e automjeteve. Në fund të vitit 2008, Ministria e Transportit dhe PostTelekomunikacionit (tash Ministria e Infrastrukturës) pat nënshkruar një kontratë ekskluzive me kompaninë “Eurolab” për homologimin e veturave që regjistrohen për herë të parë në Kosovë. Pas kontratës, Ministria i ka lëshuar kompanisë një autorizim për veprimtari ekskluzive dhjetëvjeçare, 2009-2019. Para nënshkrimit të kontratës dhe dhënies së autorizimit, Ministria nuk ka shpallur procedura të tenderimit, duke shmangur në këtë formë konkurrencën, duke i dhënë qasje ekskluzive vetëm një kompanie.Në vend se të ndërmerren hapa për largimin e monopolit, Udhëzimi i ri Administrativ   i jep të drejtën kompanisë ekzistuese të vendos mbi subjektet konkurrues. Sipas nenit 7 "Ministria autorizon subjektin për homologim si rezultat i kapaciteteve të pamjaftueshme aktuale të subjekteve ofruese të shërbimit që influencojnë nevojën e arsyeshme të rezultuar nga vlerësimi i kapaciteteve dhe studimi i fizibilitetit për vlerësimin e nevojës për autorizim të subjektit të ri mbi bazën e parimit të barabarësisë së kushteve për subjektin pretendues...".  Neni 7.4 thotë se Ministria mund të lejojë autorizimin e një subjekti të ri nëse rezulton se shfrytëzimi mesatar i kapaciteteve (të subjektit ekzistues) është mbi 85% në tri vitet e fundit dhe nëse studimi i fizibilitetit është i pranueshëm për subjektin ekzistues dhe pretenduesin potencial. Në versionin aktual, ky Udhëzues Administrativ, e bën gati të pamundur futjen në treg të një subjekti të dytë, kurse nuk parasheh aspak mundësinë që të ketë edhe subjekt të tretë apo të katërt. Përderisa qeveritë e rajonit e kanë hapur tregun duke autorizuar deri në shtatë kompani për homologim, Kosova synon të mbajë monopol në këtë fushë”, thuhet në një komunikatë të GAP-it.

Instituti GAP fton Autoritetin Kosovar të Konkurrencës që ta interpretojë këtë Udhëzim Administrativ dhe i rekomandon Qeverisë që të mos e miratojë atë në version aktual.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat