Lluka vlerëson performancën pozitive të NH “Iber-Lepenc”

Ekonomi

Lluka vlerëson performancën pozitive të NH “Iber-Lepenc”

Më: 26 dhjetor 2017 Në ora: 13:44
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka vizituar ndërmarrjen hidroekonomike “Iber-Lepenc” në Prishtinë, ku nga drejtues të saj është njohur me gjendjen në këtë ndërmarrje dhe sfidat me të cilat ballafaqohet.

Kryeshefi ekzekutiv i Iber-Lepencit”, Januz Kabashi,  bëri të ditur se në periudhën janar-nëntor 2017, fitimi operativ i ndërmarrjes ishte rreth 12.3 %” dhe të hyrat për vitin 2017 janë realizuar 0.98% më shumë se plani dhe në krahasim me vitin e kaluar 7.71% më shumë. 

Ai tha se kjo ndërmarrje e cila ushtron veprimtari për furnizim me ujë të papërpunuar, gjenerim të energjisë elektrike si dhe ujitjen, asnjëherë nuk ka pasur nevojë për ndihmë financiare nga aksionari, respektivisht Qeveria e Republikës së Kosovës. 

Gjatë takimit u diskutua edhe projekti i Bankës Botërore, i cili kap vlerën prej 22 milionë euro, 7 prej të cilave do të jenë investim në rezervarin e Mihaliqit dhe 15 milionë të tjera kredi, me “grejs” periudhë prej 5 viteve. 

Ministri Lluka premtoi se MZHE sa më shpejt që është e mundur do të përmbushë të gjitha obligimet që ka, ku hyn edhe themelimi i Komitetit Drejtues në mënyrë që ky projekt të ecë përpara. 

Kreu i MZHE-së ka vlerësuar performancën pozitive të kësaj kompanie, duke ritheksuar se orientimin e institucionit që drejton është që NP-të të përmirësojnë performancën e tyre në funksion të përmirësimit të shërbimeve dhe vetë qëndrueshmërisë financiare.

  Ndryshe, çështjet tjera që u trajtuan në takim ishin edhe Projekti i fizibilitetit të Lepencit, i cili vlerësohet me rëndësi strategjike për vendin, problemet që lidhen me borxhet që kanë ndërmarrjet tjera publike ndaj ndërmarrjes dhe kontrata me KESCO.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat