Veseli pritet nga Kryeministri i Kroacisë, Plenkoviq – flasin për bashkëpunim ekonomik

Ekonomi

Veseli pritet nga Kryeministri i Kroacisë, Plenkoviq – flasin për bashkëpunim ekonomik

Më: 7 shkurt 2018 Në ora: 19:19
Kadri Veseli dhe Andrej Plenkoviq

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, në kuadër të vizitës së tij zyrtare që po zhvillon në Kroaci, është pritur sot në takim nga Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq.

Kryeparlamentari Veseli dhe Kryeministri Plenkoviq diskutuan për raportet e shkëlqyera që dy shtetet tashmë kanë ndërtuar midis tyre dhe miqësinë e thellë midis popullit të Kosovës dhe atij të Kroacisë.

Kryeparlamentari Veseli falënderoi Kryeministrin kroat për rolin e Kroacisë në sigurinë e Kosovës, duke kontribuar me prezencën ushtarake në KFOR, si dhe për bashkëpunimin dhe mbështetjen që po i jep FSK-së. Veseli e konsideroi të nevojshëm vazhdimin e mbështetjes së shtetit kroat për fuqizimin e shtetësisë së Kosovës si faktor paqeje, bashkëpunimi dhe integrimi në BE dhe NATO.

Kryetari i Kuvendit ritheksoi rëndësinë e nënshkrimit të dokumentit për Partneritet Strategjik me Kroacinë, ndërsa ftoi investitorët kroatë për prezencë më të madhe në tregun e Kosovës.

“Ligjet e Kosovës janë të favorshme dhe tashmë është edhe korniza e marrëveshjeve që i lehtësojnë këto investime. Kemi shumë mundësi bashkëpunimi ndër shtetëror në fushën e ekonomisë. Me kryeministrin diskutuam për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, konkretisht për rihapjen e Zyrës Ekonomike të Kroacisë në Kosovë dhe mundësinë e lëshimit të linjës ajrore Zagreb-Prishtinë”, ka thënë kryeparlamentari Veseli.

Në kuadër të thellimit të bashkëpunimit në fushën e arsimit, kreu i Kuvendit të Kosovës theksoi idenë për hapjen e Katedrës së Gjuhës Kroate në Prishtinë dhe asaj Shqipe në Zagreb, ndërsa në fushën e shëndetësisë e konsideroi të vyer përvojën kroate në menaxhimin e spitaleve dhe sigurimet shëndetësore. Në takim me kreun e Qeverisë kroate, u diskutua edhe për pozitën e shqiptarëve në Kroaci, por edhe të kroatëve në Kosovë.

Veseli konfirmoi angazhimin e tij për përmirësimin e standardit të jetesës së kroatëve në vendbanimet e tyre në Kosovë. Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, nga ana e tij, shprehu kënaqësinë për arritjet e Kosovës në shumë fusha, ndërsa konfirmoi përkushtimin e Zagrebit zyrtar për t’i ofruar Kosovës gjithë mbështetjen e mundshme në rrugën drejt zhvillimit dhe integrimit euro-atlantik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat