Kosova vend me potenciale të mëdha për investime - Bota Sot
Kosova vend me potenciale të mëdha për investime

Ekonomi

E enjte, 21 qershor 2018

Kosova vend me potenciale të mëdha për investime

Më: 26 shkurt 2018 Në ora: 12:23
Londër

Sot në Londër ka filluar takimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Samitin e organizuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Kosova në këtë samit po përfaqësohet nga kryeministri i vendit Ramush Haradinaj, i cili ka prezantuar dhjetëra projekte konkrete, me qëllim financimin për realizimin e tyre.

 Në fjalën e tij përpara qindra investitorëve potencial nga e gjithë bota, kryeministri Haradinaj përmendi punën e Qeverisë së Kosovës në përmirësimin e fushës ligjore në favor të krijimit të ambientit më të mirë për investimet e huaja, për bizneset e vogla dhe korporatat, heqjen e taksave në disa sektorë për të stimuluar rritjen ekonomike, krijimin e një klime më të mirë investive në fushën e bujqësisë, në fushën e teknologjisë informative dhe prodhimit të energjisë alternative.

 “Kosova ka popullatën më të re në Evropë. 65 përqind e saj janë nën moshën 35 vjeçare, fakt ky që e bënë tregun e punës tejet atraktiv. Të rinjtë tanë kanë përvetësuar në masë të madhe teknologjinë informative, duke u bërë një nga top vendet në botë në përdorimin e saj. Shumë prej tyre janë folës të disa gjuhëve të huaja”, ka thënë në fjalën e tij, kryeministri Haradinaj.

 Takimi i sotëm i gjashtë kryeministrave të Ballkanit Perëndimor u hap nga Presidenti i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Suma Chakrabarti, i cili u zotua për vazhdimin e bashkëpunimit të mirë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe EBRD-së, duke shprehur përkrahjen e tij në mbështetjen e projekteve regjionale të këtyre vendeve dhe në projektet për infrastrukturën rrugore, hekurudhore dhe të energjisë.

 Fillimin e punimeve të samitit të Londrës me një fjalë hyrëse e përshëndeti përveç presidentit Chakrabarti, edhe kryeministri i Bullgarisë Boyko Borisov, i cili njëherësh kryeson presidencën e EU-së dhe Matt Hancock, përfaqësues i Qeverisë Britanike, i cili tha se Ballkani Perëndimor ka potenciale reale për investime, por duhet një bashkëpunim dhe për këtë arsye jemi këtu. “Britania e Madhe është e përkushtuar për stabilitet dhe prosperitet. Po punojmë ngushtë me secilin vend për përmirësimin e klimës ligjore dhe ekonomike”, tha Hancock.

 Kryeministri Haradinaj ka falënderuar presidentin e EBRD-së dhe shprehu përkushtimin e qeverisë së vendit në zhvillimin e projekteve regjionale dhe bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke përmendur projektet si , ndërtimi i linjës së re hekurudhore që lidhin Kosovën  me Shqipërinë, një linjë tjetër që lidh vendin me Malin e Zi, përfundimi i autostradës Prishtinë – Shkup dhe interesimin që Kosova të ketë qasje në gaz-sjellësin Trans Adriatik.

 “Përpjekjet e Kosovës për ta finalizuar infrastrukturën e saj bazike, autostradën, hekurudhën, furnizimin me ujë, atë me rrymë, janë parakushte për investitorë, në mënyrë që ata të jenë nga rajoni ynë ose më gjerë”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se për të bashkëpunuar me vende të tjera, është e nevojshme një klimë e mirë investive e vendit tonë.

Në samitin e sivjetmë, qeveria e vendit ka prezantuar 39 projekte konkrete, që kapin vlerën e 600 milionë eurove. Projektet vijnë nga sektori publik dhe ai privat dhe janë të dedikuara në infrastrukturën rrugore, trajtimin e ujërave të zeza, ujit të pijshëm, projekte nga prodhimi i energjisë alternative dhe projekte të prodhimit.

Ka më shumë se 5 muaj që Qeveria e Kosovës është përgatitur për Samitin e Londrës, duke zhvilluar takime të shumta në nivel lokal në Komunat e Kosovës dhe me përfaqësuesit e bizneseve nga vendi.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test