Gjermania, partner i fuqishëm i Kosovës

Ekonomi

Gjermania, partner i fuqishëm i Kosovës

Më: 6 mars 2018 Në ora: 13:55
Pamje nga takimi

Orientimi i politikave të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë do të jetë në përkrahjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme që ta rrisin kapacitetin e prodhimit dhe eksportin.

Kështu deklaroi ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, gjatë një takimi me një delegacion të kryesuar nga Helge Tolksdorf, drejtor për zgjerimin e BE-së, Evropën Juglindore dhe Turqinë në Ministrinë Federale për Punë të Jashtme të Gjermanisë, që shoqërohej nga Anja Meyer nga Ministria Federale për Çështje Ekonomike dhe Energjetike dhe zëvendës ambasadori Gjerman në Kosovë, Jan Axel Voss.

Ministri Hasani përmendi prioritetet e ministrisë që drejton, në veçanti harmonizimin e legjislacionit të plotë me MSA-në, përmbushjet e obligimeve qe derivojnë nga MSA, jetësimin e ligjit për Investime Strategjike dhe prioritetet e Kosovës në CEFTA.

“Ne politikat tona i kemi orientuar në përkrahjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe promovimin e investimeve. Te përkrahja e ndërmarrjeve të vogla, jemi të orientuar shumë në përmirësimin e konformitetit të produkteve, përkrahjen e bizneseve për t’i rritur kapacitetet e prodhimit, që nëpërmjet kësaj synojmë ta rrisim edhe eksportin, të hapim vende te reja te punës dhe të fokusohemi ne zhvillimin ekonomik të Republikës sonë”, tha Hasani.

Helge Tolksdorf, drejtor për zgjerimin e BE-së, Evropën Juglindore dhe Turqinë në Ministrinë Federale për Punë të Jashtme të Gjermanisë tha se Ballkani Perëndimor është në vazhdimësi prioritet për shtetin gjerman.

“Ballkani Perëndimor do të jetë në vazhdimësi një pikë e rëndësishme e politikës së jashtme gjermane. Lajm i mirë është që prej pavarësisë së Kosovës kemi dyfishuar këmbimin tregtar bilateral, dhe Kosova ka një potencial të madh që mund të shfrytëzohet”, tha Tolksdorf.

Tolksdorf  inkurajoi ministrin Hasani për harmonizimin e legjislacionit me BE dhe përmbushjet e kritereve qe derivojne nga MSA-ja.

Ai po ashtu i dha garanci ministrin Hasani që shteti gjerman do të jetë partner i fuqishëm i Kosovës në zhvillimin e politikave ekonomike dhe ofrojë mbështetjeje për ekspertë në fushat që ka nevojë MTI-ja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat