Oda Amerikane: Imponimi i përfaqësimit gjinor në kundërshtim me Kushtetutën

Ekonomi

Oda Amerikane: Imponimi i përfaqësimit gjinor në kundërshtim me Kushtetutën

Më: 17 mars 2018 Në ora: 10:26
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka ngritur si shqetësim shtrirjen e paprecedentë të politikave të diversitetit në Ligjin mbi Shoqëritë Tregtare nga ana e Kuvendit të Kosovës, duke imponuar kuota të përfaqësimit gjinor për të gjitha shoqëritë aksionare të regjistruara në Kosovë, zbatimi i të cilave duhet të ndodhë brenda një periudhe gjashtëmujore.

Oda Amerikane nëpërmjet një komunikate ka vlerësuar përpjekjet për të identifikuar dhe për të gjetur zgjidhje mbi çështjet serioze gjinore në Kosovë, si dhe mbështet përpjekjet e arsyeshme dhe të përgjegjshme për adresimin e këtyre sfidave.

“Megjithatë, fushëveprimi i këtyre amandamenteve jo vetëm që është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit, që parasheh një ekonomi të tregut me konkurrencë të lirë si bazë të rregullimit ekonomik të Republikës së Kosovës, por është edhe një akt normativ i paprecedent në ndonjë nga shtetet demokratike moderne, e që rrjedhimisht do të dekurajonte investimet e huaja, të cilat janë tejet të nevojshme për Kosovën. Oda Amerikane nuk e përkrah një ndërhyrje të tillë në të gjitha shoqëritë aksionare, e rrjedhimisht u bën thirrje institucioneve të adresojnë këto shqetësime të ngritura nga kompanitë e sektorit privat dhe përfaqësuesit e tyre, dhe të konsiderojnë sektorin privat si pjesë kyçe të proceseve të konsultimit dhe dialogut gjatë hartimit dhe aprovimit të intervenimeve të tilla në të ardhmen. Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë mbetet e përkushtuar që të bashkëpunojë me gjitha palët e interesit në hartim in e politikave që kanë për synim adresimin e pabarazive dhe hendekut gjinor në sektorin privat”, thuhet në komunikatë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat