OAK ngrit shqetësimin për rritjen e deficitit tregtar

Ekonomi

OAK ngrit shqetësimin për rritjen e deficitit tregtar

Më: 23 mars 2018 Në ora: 16:45
Oda e Afarizmit të Kosovës

Oda e Afarizmit të Kosovës në një letër publike dërguar kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt dhe kabinetit qeveritar, ka ngritur si shqetësim rritjen e deficitit tregëtar, duke thënë se është momenti i fundit që Qeveria e Kosovës të organizoj dialog të vazhdueshëm me biznesin dhe asociacionet e biznesit me qëllim të arritjes së një plani të veprimit mbi reformat që duhet të ndërmerren në drejtim të rritjes së prodhimit vendor dhe mirëqenies së qytetarëve tanë.

Letra e plotë e OAK-ut:

Për: z. Ramush Haradinaj – Kryeministër i Republikës së Kosovës;

Cc: Zvkryeministrave dhe ministrave të Qeverisë së Kosovës;

Shqetësim për rritjen e deficitit tregtar

I nderuari z. Kryeministër,

Edhe 18 vite pas lufte vendi ynë vazhdon të përballet me një deficit të lartë tregtar krahasuar me importin. Të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 5.0% në muajin shkurt 2018, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2017, gjegjësisht në vlerë prej 182.8 milionë eurosh, krahasuar me deficitin prej 174.1 milionë eurosh në vitin 2017.

Eksporti mbulon importin me 10.9%. (http://ask.rks-gov.net/sq/agjencia-e-statistikave-te-kosoves/ekonomi/tregtia-e-jashtme)

Një vend dhe një popull që mbahet 90% me produkte të importuara mbetet i destinuar që jetë i varfër dhe në shërbim të ekonomive dhe prodhuesve nga vendet tjera.

Prodhuesi vendor dhe ekonomia e vendit kanë nevojë për reforma të thella strukturore që do të ndihmonin nxitjen e investimeve dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Kostoja e prodhuesit vendor është për 16% më e lartë se në vendet e CEFTA-s.

Edhe pse janë bërë përparime në politikat fiskale, ende jemi larg krijimit të një ambienti investues dhe miqësor për biznesin.

Biznesi prodhues i Kosovës po përballët më shumë barriera, si: çmimin më të lartë të energjisë në rajon dhe Evropë, ndërprerje të shpeshta të energjisë, çka biznesit i shkaktohen humbje deri në 300 milion € në vit.

Jemi i vetmi vend në rajon që biznesi prodhues paguan taksën në ndërtim si çdo biznes tjetër.

Biznesit prodhues nuk i ofrohet infrastrukturë (qasje në rrugë, rrugë, kanalizime, internet, energji elektrike etj) edhe pse paguan taksën për ndërtim.

Është momenti i fundit që Qeveria e Kosovës të organizoj dialog të vazhdueshëm me biznesin dhe asociacionet e biznesit me qëllim të arritjes së një plani të veprimit mbi reformat që duhet të ndërmerren në drejtim të rritjes së prodhimit vendor dhe mirëqenies së qytetarëve tanë.

Oda e Afarizmit të Kosovës është e gatshme që të kontribuoj në çdo drejtim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat