OEK: Ratifikimi i demarkacionit hap perspektivë

Ekonomi

OEK: Ratifikimi i demarkacionit hap perspektivë

Më: 24 mars 2018 Në ora: 13:06
Oda Ekonomike e Kosovës

Votimi i demarkacionit nga ana e Kuvendit të Kosovës, është vetëm një presje në procesin e integrimit evropian. Për kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërrxhaliu, tri vite të humbura me demarkacionin në shekullin 21, janë pasoja që do të kenë efekte enorme.

Kreu i OEK-ut, në një konferencë për media, ka theksuar se për tri vite ekonomia kosovare, por në veçanti Kosova në përgjithësi ka pësuar humbje multidimensionale.

Megjithatë, ka shprehur besimin se tani do të jetë një momentum i ri, ku zhvillimi ekonomik do të jetë kryefjala e politikës kosovare.

Gërxhaliu: Integrimi s’ka përfunduar me votimin e demarkacionit

“Besoj se është një momentum i ri i cili nuk duhet të na krijoj vetëkënaqësi, por duhet ta pranojë vetë votimin si një presje në rrugëtimin tonë drejt familjes evropiane. Nuk ka përfunduar me demarkim procesi i integrimit, na presin sfida të shumta, siç është sundimi i rendit dhe ligjit, përmbushja e kritereve qoftë në zbatimin e MSA-së, por mbi të gjitha tentativa për krijimin e një përcepcioni të ri në Kosovë dhe imazhi të ri për Kosovën që e rangon bukur larg nga realiteti. E tëra kjo dëshmon edhe faktin tjetër që është kohë urgjente për avancim të partneritetit publiko-privat që institucionet dhe dikasterët të bashkëpunojnë me biznesin për të promovuar një frymë të re dhe vërtetë të lëshohet një mesazh që ekonomia dhe zhvillimi ekonomik do të jenë prioritet mbi prioritetet në të ardhmen. Po e them është kohë e sfidave, sepse tri vite të humbura në shekullin 21 kanë pasoja dhe efekte enorme negative, por dua të besoj që qytetari në të ardhmen do të vendos dhe o të mirën, o të keqën do ta vlerësoj përmes votës së tyre”, tha Gërrxhaliu.

Ndërsa, duke folur për ardhjen e investitorëve në Kosovë, kreu i OEK-ut, tha se derisa vazhdon të ketë mungesë të energjisë elektrike, është utopike të mendohet se mund të ketë investitorë të rinj.

Gërxhaliu: Me mungesë të energjisë s’mund të ketë investitorë

“Është një dëshmi që në Kosovë shumë më tepër është duke humbur kohë duke kërkuar arsye për dështim sesa për të zgjidhur këto probleme. Nuk i bënë nderë Kosovës që të vazhdoj të jetë i varur ose shoqëri e varur nga importi i energjisë elektrike. Mirëpo ajo që po pëson me së shumti në Kosovë në mungesë të energjisë elektrike është qytetari i Kosovës, është komuniteti i biznesit, në veçanti komuniteti prodhues. Kosova është në një momentum që e bënë pamundur të flitet për investitor të huaj në qoftë se edhe me tutje kemi reduktime të tilla. Si duket mungesa e energjisë elektrike është shndërruar në një lojë pingpongu, por e vërteta është që nga kjo lojë dhe qasje jo serioze po pëson qytetari dhe komuniteti i biznesit”, theksoi ai.

Në këtë konferencë ishte i pranishëm edhe kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, i cili foli për miratimin e projektligjit për shoqëritë tregtare me amendamentin që obligon shoqëritë aksionare private të kenë 40 për qind gra në bordet e tyre. Ai e ka quajtur të papranueshëm miratimin e këtij projektligji nga Kuvendi me këtë amendament, i cili është anti-kushtetues dhe do t’i dekurajoj investitorët.

Zeka: Imponimi i kuotës kundër kushtetues

“Nuk besoj se vendi është i gatshëm që të dekurajoj investitorët potencial që dëshirojnë të krijojnë një shoqëri aksionarësh në vendin tonë, që në momentin e parë që vendosin të investojnë në Kosovë duhet të kenë mendjen e tyre dhe sigurimin e aspektit gjinor. Me të drejt kemi kundërshtuar këtë imponom nga ana e Kuvendit të Kosovës dhe duhet potencuar që vet propozimi dhe amendamentet e përfshira brenda ligjit janë në kundërshtim me konkluzionet e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Tregti dhe Miniera. Kemi ftuar të gjitha asociacionet, presidentin e vendit që të kthej këtë ligj serish në Kuvend me referenca të qara sa i përket këtyre dispozitave që ne i konsiderojmë edhe anti-kushtetuese, meqë Kushtetuta thotë që vendi do të jetë i orientuar për një ekonomi të tregut me konkurrencë të lirë”, u shpreh Zeka.

Gërxhaliu e Zeka folën edhe për skandalin me mishin e importuar me afat të skaduar. Kreu i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, tha se derisa të ketë biznese të paprekura të lidhura me politikën për interesa të grupeve të caktuara, do të helmohet populli, por do të helmohet edhe ardhmëria e Kosovës.

Gërxhaliu: Popullata po helmohet, prandaj duhet guxim qytetarë për të raportuar

“Një shtet me një popullatë të helmuar, të sëmurë, nuk e besoj që i përshpejton proceset e dëshiruara në të ardhmen. Prandaj besoj që është koha në këtë drejtim të kemi më tepër transparencë, të kemi guxim të qytetarëve për të denoncuar, por ndoshta dëshmia më e mirë e vetëdijesimit të bizneseve do të ishte atëherë kur vetë bizneset do të thirrin në këtë drejtim për të denoncuar dhe plasuar këto informacione të cilat për fat të keq Kosovën po e vënë në agjendën top mediale kudo në Evropë dhe me gjerë”, shtoi ai.

Ndërsa të pyetur rreth paralajmërimit për protestë nga përfaqësues të bizneseve kosovare në kufirin me Shqipërinë për shkak të barrierave për importuar produktet në tregun shqiptarë, Zeka e Gërxhaliu thanë se shumë më shumë kanë të drejt të protestojnë bizneset kosovare, se sa ato të Shqipërisë, pasi ato kanë shumë më shumë hapësirë në tregun e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat