Pagat e qeveritarëve, Hamza në dilemë për ta zbatuar vendimin

Ekonomi

Pagat e qeveritarëve, Hamza në dilemë për ta zbatuar vendimin

Më: 13 qershor 2018 Në ora: 16:21
Qeveria e Kosovës

Pagat e kryeministrit dhe tërë kabinetit qeveritar varen nga kolegu i tyre Bedri Hamza.

Ministri i Financave dje ka abstenuar në momentin kur  kabineti qeveritar votoi që të hiqet pezullimi që Qeveria kishte vendosur për vendimin kur rasti ishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga Lëvizja Vetëvendosje.

Madje ai në mbledhjen e Qeverisë ishte shumë i qartë në raport me rritjen e pagave për zyrtarët e lartë qeveritarë.

Kp ka tentuar të mërkurën që të marr një deklaratë nga ministri i Financave Bedri Hamza. Por i njëjti nuk ka preferuar të flasë në lidhje me këtë çështje.

Hamza tha se e krejt çka ka pasur të deklarojë e ka bërë të ditur një ditë më parë.

Në mbledhjen e Qeverisë ministri i Financave tha se kjo çështje duhet të rregullohet me Ligjin për Pagat.

Hamza: Kjo çështje duhet të rregullohet me Ligjin për pagat

“Është konsensus i përgjithshëm dhe një përkrahje e përgjithshme e Qeverisë së Republikës së Kosovës, që kjo çështje në përgjithësi të rregullohet me ligj. Me Ligjin për Paga. Sepse e dimë që është një sektor, që ka nevojë të rregullohet dhe e besoj që në këtë drejtim jemi duke ecur dhe pastaj kjo e rregullon vetëm një segment të vogël të tërë sektorit publik.  Dhe ky vendim të akomodohet brenda Ligjit për Paga,  në momentin kur e kemi Ligjin për Paga”, ka thënë Hamza dje në mbledhjen e Qeverisë.

Pavarësisht kësaj shefi i tij Ramush Haradinaj ka kërkuar nga Hamza që ta zbatojë këtë vendim.

Por është dikush që shpreson se Hamza nuk do ta zbatojë vendimin e kryeministrit për t’ia rritur pagat vetes dhe tërë kabinetit qeveritar.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu,  shpreson që ministri Hamza do ta pengojë realizimin e një vendimi të tillë, sa më shpejt që është e  mundur.

Ai thotë se OEK është e shqetësuar me këtë që po ndodh në Kosovë dhe se vendimet e tilla, si ky i fundit për rritje të pagave të qeveritarëve për 150 për qind do të gjenerojnë efekte negative, në aspektin ekonomik dhe social dhe se do të jetë  një demotivimin për të rinjtë, për t’u ballafaquar me sfidat e sektorit privat.

Gërxhaliu: S’kisha pasur dëshirë në këto momente të jem në lëkurën e Bedri  Hamzës

“Nuk kisha pasur dëshirë, që në këto momente të jem në lëkurën e ministrit të Financave, i cili si duket shumë më tepër harxhon energji, duke mbrojtur nga deklaratat dhe kërkesat e tilla, se sa që vërtetë është duke ushtruar  këtë punë me kreativitet dhe inovacione. Prandaj besoj që profesionalizimi i tij është në nivel të lartë dhe dua të besoj që ky profesionalizëm i z. Hamza bazuar në etikë  dhe në realitetin social në Kosovë, do të  pengojë ose do të ndikojë ose do ta prek në sedër, që ky vendim të mos zbatohet dhe të pezullohet sa më shpejt që është e mundur”, tha Gërxhaliu.

Gërxhaliu thekson se me vendime të tilla, Kosova  është shndërruar në hapësirë eksperimentale,  nga e cila janë duke pësuar qytetarët e këtij vendi.

Ai thotë se në kohen kur ekziston  shkallë e ulët e  zhvillimit ekonomik, një situatë mjaft  sfiduese për sektorin privat, një shkallë të lartë të papunësisë dhe rënie të investimeve të huaja direkte,  Kosova nuk e ka luksin që të eksperimentojë,  me një rritje të tillë të pagave.

Gërxhaliu thotë se Kosova më tepër se krizë ekonomike, ka krizë juridike, e këtë e  thotë duke u bazuar në vendimin e Kushtetueses,  për pagat e qeveritarëve.

Sipas tij Kosova meriton diçka më ndryshe dhe jo një situatë të tillë, ku mos performanca  mos profesionalizimi dhe e keqja stimulohet, në vend që të jetë edukimi,  shëndetësia dhe të gjitha këto pore ku shoqëria e Kosovës, ka nevojë urgjente për investime.

E paradoksi më i madh për të mbetet fakti që një këshilltar,  i cili siç thotë ai  ‘ban çantat e zyrtarëve qeveritar’, të paguhet shumëfish më shumë se mjeku.

Gërxhaliu: Paradoks, këshilltari që i banë çantat merr deri në 2 mijë euro

“Paradoksi më i madh është vërtetë kur dihet fakti, që një këshilltar që ban çantën e një ministri apo kryeministri, do të jetë i paguar me 1800 deri në 2 mijë euro. E lind pyetja ku është respekti ndaj një mjeku. Ku është respekti ndaj një arsimtari. Ku është respekti ndaj personelit të sigurisë, qoftë në polici, qoftë në FSK. Prandaj është vërtetë një vendim që ka paradokse të shumta dhe në total është në kontraditë, me realitetin në Kosovë”, tha ai.

Ndërkaq thekson se OEK, është për rritje të pagave, mirëpo për një rritje e cila është në harmoni me rritjen ekonomike dhe jo të ketë rritje ekonomike 4 përqind dhe rritje të pagave 150 përqind. Kjo sipas tij,  është një përvojë,  e cila nuk është hasur deri tani në vendet e rajonit dhe më gjerë.

Në lidhje me  vendimin për rritje të pagave, ka reaguar dhe Lëvizja Vetëvendosje e cila edhe kishte kërkuar interpretim nga Gjykata  Kushtetuese, e cila iu refuzua të hënën.

Anëtarja e Kryesisë dhe deputetja Albulena Haxhiu  ka folur  për shkeljet kushtetuese , që  sipas saj kanë bërë gjyqtarët e Kushtetueses kur kanë vendosur se ngritja e pagave nuk e cenon Kushtetutën e Kosovës.

Kjo Lëvizje ka paralajmëruar se do të ngris kallëzim penal ndaj kryeministrit Haradinaj dhe ministrave që e kanë votuar vendimin për rritje të pagave të veta.

Ndryshe edhe FMN, pati reaguar lidhur me vendimin për rritje të pagave.  Shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, Ruud Vermeulen,  vendimin për rritjen e pagave të stafit politik nga kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj e ka parë me shqetësim. 

Ai në kohën kur Haradinaj mori vendimin për rritje të pagave, pati thënë se ky vendim mund t’i nxisë apetitet e sektorëve tjerë për rritje pagash  dhe nuk është i paraparë me buxhetin e vitit 2018.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat