Bizneset i mirëpresin rekomandimet e OAK-ut për pushimin e lehonisë - Bota Sot
Bizneset i mirëpresin rekomandimet e OAK-ut për pushimin e lehonisë

Ekonomi

E enjte, 20 shtator 2018

Bizneset i mirëpresin rekomandimet e OAK-ut për pushimin e lehonisë

Më: 17 qershor 2018 Në ora: 13:17
OAK

Ndonëse bizneset i kanë mirëpritur rekomandimet e dala nga Oda e Afarizmit të Kosovës që pushimi i lehonisë të mbulohet 100 përqind nga shteti, të tjerët mendojnë që kjo është barrë e pa përballueshme për buxhetin e shtetit.

Drejtoresha e kopshtit të fëmijëve “Bardha”, Gëzime Rexhepi, thotë se mbulimi i pushimit të lehonisë 100%, nga shteti do të ishte mbështetje për bizneset, dhe fuqizim për gratë.

Ajo thotë se mënyra e pagesës së pushimit të lehonisë, të cilën e përcakton tani për tani ligji i punës e që është 6+3+3 thotë se është barrë e rëndë për bizneset.

Rexhepi: Këto rekomandime fuqizojnë gruan

“Gjithsesi që dëm i madh është për ato biznese që i kanë shumicën e personelit të punësuar nga gjinia femërore, sidomos bizneset që merren me edukimin dhe kujdesin e fëmijëve kur i tërë personeli është gjini femërore me të vërtetë është një barrë, jo që është e rëndë por mundet me qenë e papërballueshme...Sigurisht që ka me qenë një stimulim shumë i madh për fuqizimin e gruas dhe ka me qenë një mbështetje për bizneset dhe bizneset gjithsesi nuk hezitojnë të pranojnë personel prej gjinisë femërore”, u shpreh Rexhepi.

Përkundër kësaj kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, Besa Baftiu, ndonëse rekomandimet e dala nga OAK-u i ka konsideruar si barrë të madhe për Qeverinë, thotë se përkrahë çdo iniciativë që stimulon gratë.

Për të ideja që Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka për ligjin e lehonisë është më e mira.

Baftiu: Barrë e madhe për Qeverinë

“Kjo është një e mirë por mendojë se është një barrë shumë e madhe edhe për Qeverinë duke pasur parasysh se ne e dimë se kemi skema pensionale të shumta dhe si popull dimë se jemi pothuajse në një varfëri të skajshme, prandaj do të ngarkohej edhe buxheti. Mesa kam njohuri Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale do bëjë një ligj të veçantë për lehoninë e ajo më e mira që e pash që do të ishte që edhe gratë të cilat nuk janë të punësuara në gjashtë mujorin e parë të paguhen me një pagë minimale që është në Kosovë, që i bie të marrin 170 euro. Normal që ne do i përkrahim personalisht, unë si anëtare e komisionit e përkrahi edhe këtë iniciativë ndoshta edhe të bizneseve, mirëpo e përkrahi edhe iniciativën e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale kur kjo iniciativë është për të mirën e grave në mënyrë që të stimulojmë gratë, çoftë ato që punojnë, çoftë edhe ato që nuk punojnë“, ka thënë Baftiu.

Për dallim nga Oda e Afarizmit të Kosovës të cilët kanë rekomanduar që pushimi i lehonisë të paguhet 100 për qind nga Qeveria, Visar Hapçiu, udhëheqës i Institutit për Hulumtime Ekonomike në Odën Ekonomike Amerikane, thotë se mënyra më e mirë për mbulimin e pushimit të lehonisë është shpërndarja e barrës tek të dyja palët, bizneset dhe institucionet.

Hapçiu: Barra për mbulimin e pushimit të lehonisë të shpërndahet

“Në atë alternativë kohëzgjatja e pushimit mbetet e njëjtë, mirëpo e gjithë barra i rëndohet Qeverisë në këtë rast. Ne gjatë propozimeve tona kemi dashur të jemi më të kujdesshëm dhe mos t’i hedhet e gjithë barra institucioneve të vendit për mbulimin e pushimit të lehonisë, mirëpo, ajo barrë të shpërndahet, pasi që në fund të fundit edhe nëse e mbulon të gjithë barrën Qeveria, ato të holla që duhen për pushimin e lehonisë duhet të mblidhen prej tatimpaguesve”, u shpreh ai.

Hapçiu po ashtu tha se Oda Ekonomike Amerikane kohë më parë ka rekomanduar që pushimi i lehonisë të ulet nga 12 muaj në nëntë, pasi që kjo çështje po paraqitet si shqetësim për bizneset.

Hapçiu: Kemi kërkuar që pushimi i lehonisë së shkurtohet

“Në atë kohë i kemi paraqitur disa alternativa pranë Këshillit Kombëtar për zhvillim ekonomik, mirëpo rekomandimi jonë ka qenë që pushimi i lehonisë të shkurtohen nga 12 muaj në 9 muaj nga të cilat tre të paguhen nga bizneset, tre të paguhen nga Qeveria dhe tre të jetë pushim pa pagesë. Arsyeja pse kemi bërë një rekomandim të tillë është se është parë që pushimi i lehonisë prej 12 muaj po paraqet një barrë të rëndë për bizneset dhe si e tillë po nxitë praktika diskriminuese në vendin e punës”, u shpreh  Hapçiu.

Ndryshe, javë më parë Oda e Afarizmit të Kosovës (#OAK) nga një takim me gratë afariste ka dalë me disa rekomandime për pushimin e lehonisë, duke konsideruar se shteti është ai i cili duhet që të merr përsipër pagesën e lehonave.

Disa nga rekomandimet e OAK-ut  janë: pushimi i lehonisë të mbulohet 100% nga shteti, për 12 muaj, fillimisht në periudhën prej 30 ditësh para lindjes së fëmijës, femra të mund të marrë pushimin e lindjes dhe kjo periudhë prej 30 ditëve të mbulohet nga biznesi me 100% të pagës aktuale, të lihet opsion që nëna në rast se dëshiron mund të vazhdojë pushimin edhe për 3 muaj të tjerë. Në këto raste pushimi të jetë pa pagesë, Qeveria të jep shtesa për çdo fëmijë të lindur.

Kp ka tentuar që të marrë një përgjigje nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale lidhur me këto rekomandime të dala, por zyrtarë të kësaj ministrie nuk kanë pranuar të flasin, me arsyetimin se janë duke e diskutuar çështjen e pushimit të lehonisë.

Sipas neniti 49 të Ligjit të Punës lehonave iu takojnë 12 muaj pushim, ku në gjashtë muajt e parë të pushimit të lehonisë pagesa bëhet nga punëdhënësi me kompensim 70% të pagës bazë, tre muajt në vijim paguhet nga Qeveria e Kosovës me kompensim 50% të pagës mesatare në Kosovë.

Gruaja e punësuar ka të drejtë me këtë ligj, ta zgjasë pushimin e saj të lehonisë edhe për tre muaj të tjera pa pagesë.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test