Aleanca Kosovare e Bizneseve në një konferencë për media ka prezantuar shqetësimet e komunitetit të Biznesit lidhur me mos funksionalizimin e Bordit të Pavarur për Rishqyrtime të paraqitura në 14 arsyetime të cilat sqarojnë dëmet dhe padrejtësitë që komuniteti i bizneseve po i përjetojnë që nga viti 2013.
Agim Shahini, kryetar i AKB-së tha se që nga viti 2015 duke mbetur besnike kërkesave të komunitetit të bizneseve ka parashtruar disa herë kërkesë zyrtare institucioneve relevante të Kosovës për ri-themelimin e Bordit të Pavarur për Rishqyrtime.
Siç thuhet në një kumtesë të AKB, duke parë neglizhencën dhe hezitimin e vazhduar të institucioneve vendimmarrëse për inicimin e procedurës ligjore për ri-themelimin e këtij Bordi, me arsyetim se kundër është Komisioni Evropian, ata kanë ridrejtuar kërkesën ndaj këtyre institucioneve për domosdoshmërinë e ri-themelimit të ish BPR-së.
Shahini potencoi se Qeveria ta plotësojë të drejtën parimore të bizneseve të garantuara me Kushtetutë dhe mungesa e sigurisë juridike po i frikëson investitorët vendor dhe të huaj, kurse Qeveria duhet ta plotësoj këtë të drejtë të mohuar padrejtësisht për komunitetin e Biznesit.