Banka Botërore aprovon Projektin e Ekonomisë Digjitale ne Kosovë - Bota Sot
Banka Botërore aprovon Projektin e Ekonomisë Digjitale ne Kosovë

Ekonomi

E martë, 21 gusht 2018

Banka Botërore aprovon Projektin e Ekonomisë Digjitale ne Kosovë

Më: 6 korrik 2018 Në ora: 11:41
Banka Botërore

Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore miratoi sot Projektin e Ekonomisë Digjitale të Kosovës (KODE) për të rritur qasjen e popullit te Kosovës në shërbime më të mira dhe me shpejtësi të madhe (interneti) të brezit të gjerë frekuencor dhe në burimet e njohurive, shërbimet dhe tregjet e punës në internet.

Huaja për projektin është në vlerë prej €20,700,000 (e barasvlershme me $25 milionë).

“Projekti do të ketë spektër të gjerë përfitimesh për popullin e Kosovës, duke i lidhur ata me informacione, shërbime dhe vende të punës. Duke zhvilluar dhe forcuar infrastrukturën digjitale të Kosovës, ky projekt do të thellojë lidhjet e Kosovës me ekonominë globale, që është me rëndësi kritike për rritjen dhe zhvillimin në të gjithë vendin,” thotë Marco Mantovanelli, Menaxher i Bankës Botërore për Kosovën, njofton kumtesa për media.

Sot, vetëm një numër i kufizuar i ekonomive familjare, bizneseve dhe institucioneve në Kosovë kanë qasje në brezin e gjerë frekuencor me shpejtësi të madhe, që mund të ndihmojë në livrimin e shërbimeve publike, ofrimin e mundësive për fitimin e shkathtësive dhe gjenerimin e të ardhurave nëpërmjet punës në internet. Shumë shkolla nuk kanë qasje në brezin e gjerë frekuencor, duke u mbështetur në vend të kësaj në lidhje të internetit me shpejtësi të ulët ose duke mbetur të palidhur - gjë që kufizon aftësinë e tyre për të formuar kapitalin njerëzor që lypset për ekonominë e dijes. Tutje, universitetet dhe kolegjet në Kosovë janë të ndërlidhura shumë dobët, duke e bërë pothuajse të pamundur angazhimin në shkëmbimin e njohurive ose bashkëpunimin kërkimor me partnerët ndërkombëtarë.

Ngjashëm, jo të gjitha qendrat shëndetësore janë të lidhura me infrastrukturë digjitale te shpejtësisë së madhe, duke i parandaluar ato që të zgjerojnë mbulimin me shërbime mjekësore për më shumë njerëz, veçanërisht në zonat rurale dhe të izoluara. Kjo kufizon aftësinë e tyre për të zgjeruar portofolin e tyre të shërbimeve ose për të përdorur aplikacionet për e-shëndetësi. Shërbimet mobile të brezit të gjerë frekuencor gjithashtu janë zhvilluar ngadalë, duke kufizuar novacionin në shërbimet digjitale të bazuara në pajisje mobile.

Mirëpo, Kosova ka përqafuar transformimin digjital duke punuar për të plotësuar boshllëqet e infrastrukturës digjitale dhe për të zhvilluar kapital njerëzor konkurrues globalisht.

“Projekti KODE ndërton mbi nismat kombëtare tashmë funksionale që janë zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë midis Qeverisë dhe Bankës Botërore - si një sërë e pilotimeve të brezit të gjerë frekuencor në mjedise rurale të prira nga qeveria - që shkrepin investime kapitale private në futjen në përdorim të brezit të gjerë frekuencor,” thotë Natalija Gelvanovska-Garcia, Udhëheqëse e Ekipit të Detyrës për projektin. “Plus, KODE do të përshkallëzojë trajnimet për punë në internet, duke vënë në shënjestër të rinjtë e papunë ose të nën-punësuar me fokus te gratë, për të ndihmuar që t’i hapen dyert përfituesve për qasje në vende pune që janë më të shumta, më të mira dhe më gjithëpërfshirëse,” shton Redon Begolli, bashkë-Udhëheqës i Ekipit të Detyrës.

Banorët e disa prej zonave rurale të mbështetura pamjaftueshëm, institucionet e kujdesit shëndetësor, dhe shkollat fillore dhe të mesme do të përfitojnë nga projekti përmes qasjes në internet të brezit të gjerë frekuencor me shpejtësi të madhe dhe nisma për vetëdijesim digjital. Operatorët e rrjeteve mobile dhe klientët e tyre gjithashtu do të përfitojnë nga shërbimet mobile me cilësi më të lartë, ndërsa të rinjtë e nën-punësuar/të papunë do të kenë qasje në një program trajnimi për punë në internet. Studentët, kërkimtarët dhe personeli i institucioneve të arsimit të lartë do të përfitojnë gjithashtu, pasi projekti do të mbështesë edhe qasjen në rrjetin e të dhënave pan-evropiane GÉANT.

Projekti financohet me kredi nga Shoqata Ndërkombëtare për Zhvillim (në gjuhën angleze International Development Agency, shkurt IDA) e Grupit të Bankës Botërore. Kreditë e IDA-s jepen me kushte koncesionare me interes zero ose shumë të ulët dhe periudha të gjata të kthimit. Financimi i këtij projekti ka afat maturimi prej 25 vjet, duke përfshirë një grejs periudhë 5-vjeçare. Projekti do të zbatohet për pesë vjet nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik e Kosovës, e cila udhëzon dhe bashkërendon zhvillimin e sektorit të TIK-ut dhe të gjitha nismat madhore të ekonomisë digjitale në vend. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test