Gashi kërkon që të dënohen operatorët që nuk e bëjnë kalimin në 383 deri në tetor

Ekonomi

Gashi kërkon që të dënohen operatorët që nuk e bëjnë kalimin në 383 deri në tetor

Më: 17 korrik 2018 Në ora: 14:59
Kryetari i Bordit të ARKEP-it, Kreshnik Gashi

Kryetari i Bordit të ARKEP-it, Kreshnik Gashi ka kërkuar nga anëtarët e Komisionit për Zhvillim Ekonomik mbështetjen e tyre për t’i dënuar operatorët telefonik në rast se nuk e bëjnë kalimin në kodin 383 deri më 31 tetor të këtij viti.

Gashi ka thënë se arsyeja se pse nuk është implementuar kodi 383 në qershor të këtij viti është kërkesa e operatorit Vala që ky afat të shtyhet.

Gashi: Të ketë edhe dënime nëse nuk ka arsyetim për implementim të këtij kodi

“Edhe pse rregullativa dhe ana ligjore qoftë ndërkombëtare, qoftë e brendshme e jona ka qenë e plotë dhe ata nuk kanë pasur pengesa të natyrës ligjore për kalim në kodin 383, por pengesat kanë qenë të natyrës teknike. Kërkesa e tyre nuk ka pasur një afat të caktuar, por në diskutimet tona ata kanë thënë që kërkojmë që deri në fund të vitit të paktën të shtyhet ky proces. Mirëpo, ne kemi konsideruar që një proces i tillë mund të përmbyllet edhe më shpejt dhe e kemi dhënë datën e  fundit për kalim në kodin 383 datën 31 tetor, e cila vlen për të gjithë operatorët... Kërkojmë mirëkuptimin tuaj se nëse ky afat tejkalohet nga secili operator të veprojmë sipas ligjit që do të thotë edhe në rast nevoje të ketë edhe dënime nëse nuk ka arsyetim të mjaftueshëm për implementim të këtij kodi, për shkak se kjo është e një rendësi shtetërore dhe në këtë kuadër largimi i kodit 381 është një hap pozitivâ" , tha ai.

Gashi ka thënë se Telekomi i Kosovës pretendon se në investime në sistemin e tyre që duhet të bëjnë janë 3 deri në 5 milionë euro.

Sipas  Gashit gjatë vitit 2017 kanë arritur të ndërprenë sinjalin e të gjithë operatorëve të pa licencuar që kanë operuar në Kosovë, madje edhe në veri të vendit.

Gashi: është ndërprerë sinjali në Kosovë i të gjithë operatorëve të palicencuar

“Në bashkëpunim edhe me Policinë e Kosovës është arritur që për herë të parë gjatë vitit 2017 të ndërpritet sinjali në Kosovë i të gjithë operatorëve të palicencuar të komunikimeve elektronike nga territori i Republikës së Kosovës, përfshi këtu edhe veriun e vendit. Ku ARKEP në bashkëpunim me Policinë ka bërë matje të vazhdueshme dhe ka bërë verifikimin e këtij largimi”, tha ai.

Ndërsa, në sistemin postar, Gashi ka thënë se në vitin 2017 ka një rënie të volumit të përgjithshëm të dërgesave. Po ashtu, ai bëri të ditur se Posta e Kosovës ka pasur rënie në të hyrat në shërbimet postare.

Gashi: Posta e Kosovës ka një rënie të lehtë në vlerën 6.23 përqind

“Indikatorët e tregut të shërbimeve postare për vitin 2017 krahasuar me vitin 2016 tregojnë një rënie të volumit të përgjithshëm të dërgesave në vlerën 16.88 përqind, nga numri i përgjithshëm i të gjitha dërgesave postare rreth 83.16 përqind janë dërgesa postare, kurse 7.05 përqind janë postë direkte, ndërsa 9.79 përqind janë dërgesa pako postare. Nga numri i përgjithshëm i dërgesave 82.15 përqind e dërgesave postare janë dërgesa të pranuara dhe të shpërndara në trafikun e brendshëm, ndërsa 17.58 përqind janë postë ndërkombëtare. Në numrin e përgjithshëm të dërgesave postare në vitin 2017 krahasuar me vitin 2016 sektori i shërbimeve postare ka evidentuar një rritje të të hyrave në vlerë 6.49 përqind. Ndërsa, Posta e Kosovës ka një rënie të lehtë në vlerën 6.23 përqind. Ndërsa, operatorët privat kanë pasur një rritje të theksuar të të hyrave në vlerë 32.47 përqind”, tha ai.

Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal është shqyrtuar projektligji për Produkte të Ndërtimit.

Kryetarja e këtij komisioni, Sala Berisha Shala bëri të ditur se anëtarja e këtij komisioni, Hykmete Bajrami pa  dhënë sqarime ka kërkuar që projektligji për produkte të ndërtimit t’i kthehet Qeverisë së Kosovës.

E për këtë një sqarim e pati anëtarja e këtij komisioni, Mimoza Kusari Lila e cila u shpreh se ministria e Tregtisë dhe Industrisë po synon që Departamentin e Ndërtimit ta kthej përsëri nën kompetencat e saja, ndonëse ky departament ka kaluar në Ministrisë Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor sa ishte ajo në udhëheqje të MTI-së.

Lila: Kjo është kthim prapa në proces?

“Pas sjelljes së projektligjit në komision deputetja Hymkete Bajrami e ka marr përsipër por mandej në përmbajte të projektligjit është vërejtur që është tendenca e kthimit të strukturës shtesë dhe në kundërshtim me atë se çfarë është bërë konform propozimeve të Bankës Botërore për përmirësim të ambientit të biznesit, për thjeshtësim të procedurave dhe tash ministria e Tregtisë dhe Industrisë synon që ta rikthej departamentin e ndërtimit, të krijoj inspektorat apo trupa ose mekanizma shtesë të cilët do të bëjnë kontrollin e kompanive që merren me prodhimin e materialeve të ndërtimit. Në këtë aspekt ajo është tërhequr duke thënë se nuk duhet komisioni ynë që fare të merret me këtë projektligj ose që është kthim prapa në proces”,  tha Kusari-Lila.

Përfaqësuesi i MTI-së Gurakuq Kastrati ka sqaruar se kjo Ministri ka kompetenca për mbikëqyrje të prodhimeve për ndërtim  duke filluar nga dizajnimi e deri tek vendosja e tyre në treg.

Kastrati: Ministria e Tregtisë dhe Industrisë merret me prodhimet ndërtimore?

“Përgjegjësia dhe fusha e materialeve të ndërtimit jo e ndërtimit është fjala për materiale të ndërtimit ka mbetur në ministri jo punëve të ndërtimit  por është fjala ndërtimin si punë dhe materiale si materiale. Kjo fushë pse ka mbetur në Ministri të Tregtisë gjithçka që lidhet me produkte të ndërtimit të gjitha shtyllat mbështetëse që janë që mundësojnë implementimin e këtij ligji është Agjencia Kosovare e Standardizimit që i adapton standardet. Janë afër 500 të harmonizuara që janë të detyrueshme me u zbatua ky ligj janë laboratorët të akredituara, trupa certifikuese që janë të domosdoshme për me implementua këtë ligj janë në kuadër të ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, kryesisht tek drejtoria e Akreditimit , është inspektorati i tregut që është i mandatuar me ligj prej Kuvendit  me i mbikëqyr produktet e vendosura në treg prej dizajnit, prej prodhimit deri tek vendosja në treg, jo në punime ndërtimore se ajo është çështje e ministrisë së Mjedisit”, tha Kastrati.

Këtë projektligji anëtarët e Komisionit u pajtuan që ta shqyrtojnë në një mbledhje tjetër

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat