Të ardhurat buxhetore rriten vetëm 2.2% për janar-qershor; mungojnë 60 milionë euro

Ekonomi

Të ardhurat buxhetore rriten vetëm 2.2% për janar-qershor; mungojnë 60 milionë euro

Më: 20 korrik 2018 Në ora: 08:13
Foto ilustrim

Ndonëse rritja ekonomike i ka kaluar 4% në tre muajt e parë të vitit, kjo nuk po shoqërohet me një performancë pozitive të të ardhurave buxhetore. Sipas statistikave fiskale të publikuara nga Ministria e Financave, të ardhurat buxhetore për 6 mujorin arritën në 216.9 miliardë lekë, me një zgjerim prej vetëm 2.2% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Duke pasur parasysh që rritja ekonomike në tre muajt e parë të vitit arriti në 4.45%, ndërsa inflacioni u përshpejtua në 2.4%, rritja reale e të ardhurave rezulton negative prej -4.65%.

Në raport me atë që ishte planifikuar në fillim të vitit, të ardhurat janë 7.5 miliardë lekë, ose rreth 60 milionë euro më pak, duke shënuar performancën më të dobët buxhetore që prej vitit 2013, kohë kur u ndryshuan qeveritë.

Të ardhurat nga tatimet e doganat u rritën vetëm me 1.6%, në 145.5 miliardë lekë, duke pasur dhe mosrealizimin më të madh ndaj planit, me 7.8 miliardë lekë. Mosrealizimi më i madh ishte tek TVSH, që është një tregues direkt i qarkullimit në ekonomi (-4 miliardë lekë) , tatim fitimi (1 miliardë lekë), akciza (1.2 miliardë lekë) dhe tatimi mbi të ardhurat personale (1 miliardë lekë). Financat kanë fajësuar më herët edhe efektin e kursit të këmbimit (zhvlerësimi i euros) nga i cili buxheti ka humbur 3.6 miliardë lekë në 5 muajt e parë të vitit.

Të ardhurat nga pushteti vendor ishin 10.9 miliardë lekë, pothuajse të pandryshuara në raport me 6 mujorin e një viti më parë. Taksa mbi pasurinë kishte një mosrealizim prej 1.3 miliardë lekësh në raport me planin, teksa hyrja në fuqi e fomulës së re të llogaritjes së tatimit mbi pronës e planifikuar në prill është shtyrë në fillim të vitit tjetër.

Performancë pozitive kishin të ardhurat nga sigurimet shoqërore e shëndetësore, sidomos ato shoqërore, që ishin gati 2.9 miliardë lekë mbi planin, duke amortizuar efektin e mos realizimit të planit të tatimeve e doganave. Nga këto dy zera buxheti arkëtoi në total rreth 45.6 miliardë lekë.

Ndërsa të ardhurat jo tatimore ishin 13 miliardë lekë, 1.1 miliardë lekë më pak sesa plani.

Shpenzimet ishin 214 miliardë lekë, me një rritje me bazë vjetore prej 2.4% për 6 mujorin e parë.

Shpenzimet kapitale u gjallëruan, duke u rritur me 11.4% në 30 miliardë lekë.

Edhe për 6 mujorin, buxheti rezultoi me një suficit prej 2.3 miliardë lekësh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat