Rukiqi kërkon nga Qeveria që të merret me problemet e bizneseve

Ekonomi

Rukiqi kërkon nga Qeveria që të merret me problemet e bizneseve

Më: 23 korrik 2018 Në ora: 11:53
Pamje nga takimi

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka vizituar sot kompaninë Al Petrol.

Vizita e tij po bëhet në kuadër të ciklit të takimeve me bizneset, të cilat i  ka nisur që nga zgjedhja si kryetar i Odës.

Duke falënderuar pronarin e kompanisë Latif Kryeziu si një ndër përkrahësit më të mëdhenj të Odës Ekonomike të Kosovës, Rukiqi tha se aty u diskutuan problemet që lidhen  me tërë kompanitë që kanë fuqi punëtore të pakualifikuar, dhe jo vetëm me sektorin e importimit të derivateve me shumicë.

Rukiqi: Biseduam për shumë probleme që kanë kompanitë

“Gjatë tërë bisedës ne nuk dëgjuam asnjë çështje që lidhet drejtpërdrejtë me ndonjë interes të kësaj kompanie, por ne i dëgjuam çështjet që janë problematike për çdo sektor, problemet e aftësisë të fuqisë punëtore, licencat, problemet me ligjet tatimore, problemet me mosfunksionimin e dikasterëve të qeverisë që kanë të bëjnë me ekonominë”, tha Rukiqi.

Me këtë rast kryetari i Odës  kërkoi nga Qeveria të merret seriozisht me këto probleme dhe të mos mbetet sikur ligji i naftës, që siç tha ai, kurrë nuk ka marrë format përfundimtar. Pronari i AL Petrol Latif Kryeziu tregoi se kryetari i Odës u njoftua me arritjet sistematike të kompanisë, dhe me problemet që has kjo kompani.

Duke treguar për historikun e kompanisë së tij Kryeziu tha se ajo është njëra nga kompanitë më të mëdha në Kosovë për nga numri i të punësuarve dhe njëra ndër tatimpagueset më të rregullta të buxhetit të Kosovës.

Kryeziu: Oda Ekonomike e Kosovës do të jetë zë i vërtetë i ekonomisë

"Sikur deri më tash, Oda Ekonomike u zotua se do të jenë një zë i vërtetë i ekonomisë për t’i adresuar të gjitha problemet e dikasterëve të caktuara, por edhe të krijojnë një ambient të volitshëm për të gjitha sektorët e ekonomisë në Kosovë, konkretisht për sektorët që ne jemi si kompani”, tha Kryeziu.

Pas zgjedhjes kryetar të Odës, Rukiqi po vazhdon vizitat nëpër bizneset e Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat