Synim kryesor është ndryshimi i konceptit ekomomik në Kosovë

Ekonomi

Synim kryesor është ndryshimi i konceptit ekomomik në Kosovë

Më: 7 gusht 2018 Në ora: 15:15
Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë Besim Beqaj i shoqëruar nga kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës sot ka takuar drejtuesit e OEK-ut dhe përfaqësuesit e bizneseve

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë Besim Beqaj i shoqëruar nga kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës sot ka takuar drejtuesit e OEK-ut dhe përfaqësuesit e bizneseve, me qëllim të promovimit të programeve për financim të start-upeve dhe NVM-ve, të lansuara ditë më parë.

Gjithashtu ministri Beqaj i ka informuar përfaqësuesit e bizneseve për punën dhe aktivitetet e Ministrisë për Inovacion dhe Ndërmarrësi që nga themelimi i saj, me fokus në programet për financim të sektorit privat në fushën e inovacionit dhe ndërmarrësisë të cilat e arrijnë vlerën 9.1 milionë euro për vitin 2018.

“Synimi im kryesor dhe i Ministrisë është ndryshimi i konceptit ekomomik në Kosovë, në mënyrë që ekonomia të fokusohet edhe në ofrimin e shërbimeve. Faktori jonë kryesor në ndërtimin e konkurrencës janë shërbimet dhe për këtë Kosova ka potencial të madh, në veçanti në fushën e shërbimeve të teknologjisë, ku kemi të vetmin bilanc pozitiv tregtar”, theksoi  Beqaj.

Kryetari i OEK-ut Berat Rukiqi theksoi rëndësinë që ka përkrahja institucionale për bizneset dhe për këtë tha se  Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë nuk do të marrë nga bizneset, por do t’ju jap atyre.

Gjatë bashkëbisedimit me përfaqësuesit e bizneseve ministri Besim Beqaj ka sqaruar edhe qëllimin e ndarjes së fondeve për sektorin privat, që në harmoni me objektivat e MIN-së ka synim kryesor rritjen e kapaciteteve eksportuese të ndërmarrjeve kosovare dhe digjitalizimin e prodhimit dhe shërbimeve.

“E ardhmja e sektorit privat është digjitalizimi në funksion të rritjes së prodhimit dhe shërbimeve”, tha Beqaj.

Takimi i sotëm i ministrit Beqaj në OEK është mbajtur më qëllim të promovimit të programeve financiare për përkrahje të start-upeve dhe NVM-ve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat