Kryetari i Dhomës së Tregtisë: Bashkimi ekonomik Kosovë-Shqipëri vetëm retorikë

Ekonomi

Kryetari i Dhomës së Tregtisë: Bashkimi ekonomik Kosovë-Shqipëri vetëm retorikë

Më: 19 gusht 2018 Në ora: 11:03
Nikolin Jaka

Ka vetëm retorikë, pak vepra dhe pak projekte nga Qeveria e Shqipërisë dhe e Kosovës, që ekonomia e dy vendeve të jetë integruar kombëtarisht dhe e fuqizuar.

Kështu thotë në një intervistë për KosovaPress, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, Nikolin Jaka, duke shtuar se është jashtëzakonisht e rëndësishme qasja e bizneseve shqiptare dhe shtetasëve të Kosovës në një integrim kombëtar ekonomik, ngaqë ka mjaft barriera tarifore dhe jo tarifore.

Kryetari Jaka është i pakënaqur me trendet ekonomike aktuale ndërmjet këtyre dy vendeve dhe thotë se mungon bashkëpunimi ekonomik Shqipëri-Kosovë.

Ai ka thënë se këmbimet tregtare ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, janë jashtëzakonisht të ulëta, një me tre në favor të Shqipërisë, edhe pse viteve të fundit ka një ngritje të lehtë.

Jaka: Ka shumë retorikë, shumë pak projekte dhe vepra

“Ka shumë retorikë, dhe shumë pak projekte dhe vepra… Sot jemi në shifra një me tre, por ne nëse heqim shifrat e karburanteve është shumë pak ekonomi reale që vjen nga tregu shqiptar. Diferenca nuk është edhe aq e ndjeshme në krahasim me eksportet që vijnë nga Kosova në Shqipëri. Në mënyrë kategorike jo(nuk është i kënaqshme bashkëpunimi). Pra, jemi jo vetëm të pa kënaqur, por jemi në radhë të parë - dimi të vlerësojmë kritikën ndaj vetës, sepse jemi në nivele jashtëzakonisht të ulëta të qarkullimit të ekonomive tregtare ndërmjet vendeve tona. Por, do të donim të bënim një oponencë  jo kritikë ndaj qeverive tona, në mënyrë që të marrim parasysh kërkesat dhe propozimet që i bëjnë odat ekonomike dhe prodhuesit shqiptarë dhe kosovarë për ta integruar dhe për ta rritur qarkullimin ndërmjet dy vendeve tona”, deklaron Jaka.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Shqipëri deklaron se integrimi kombëtarë ekonomik duhet të jetë parësor e pastaj të ndodhë integrimi në rajonin e Ballkanit perëndimor.

Jaka: Krye fjalë integrimin kombëtarë ekonomik

“Unë përmenda integrimin rajonal, duke vënë si agjendë dhe krye fjalë integrimin kombëtarë ekonomik. Pra, që ne të integrohemi në rajonin e Ballkanit perëndimor, është domosdoshmëri e qytetarëve, e sipërmarrësve dhe qeverive shqiptare dhe të Kosovës që të integrohemi ekonomikisht si komb. Ne kemi një fat që kemi një komb dhe dy shtete dhe ne duhet ta shfrytëzojmë në maksimum këtë, pa cenuar rregullat apo konventat e firmosura në mënyrë që ekonomia e dy vendeve tona të jetë e integruar kombëtarisht dhe të potencojmë më fort në ekonominë rajonale të Ballkanit perëndimor”, thotë ai.

Ai tutje ka përmendur edhe barrierat me të cilat po ballafaqohen bizneset e Kosovës dhe Shqipërisë në të dy anët e kufirit, me një kosto lartë. 

Jaka: Ka barriera të cilat e rëndojnë koston e qarkullimit

“Ka barriera të cilat e rëndojnë koston e qarkullimit dhe bërjes të mundur futjen e produkteve të të dyjave vendeve tona. Barrierat të cilat ne i kemi analizuar dhe shpesh na dalin që për një qarkullim apo për një ngarkesë që vjen nga Kosova në Shqipëri apo nga Shqipëria në Kosovë, arrin rreth 7 deri 8 përqind e kostos së produktit i cili qarkullon në vendet tona. Në qoftë se kemi një kontejner, i cili ka një shifër rreth 20 mijë euro, kjo shifër rëndohet edhe me një qarkullim tjetër që shkon nga 2 deri 3 përqind që ka të bëjë me tarifën deri 250 euro… Shifrat e tilla janë për skanim, për certifikata fito sanitare që akoma nuk kanë filluar të aplikohen me njohje reciproke. Shifrat e tilla janë edhe te parku i kontejnerëve që është në Doganë. Janë shifra(barrë) të cilat me një vullnet dhe me dëshirë të qeverive tona, mund të hiqen dhe rrisin qarkullimin tregtarë ndërmjet dy vendeve tona”, deklaron Jaka.

Për fund, thotë se është një barrë e madhe edhe krijimi i besimit tek konsumatorët, qoftë andej apo këndej kufirit, për të blerë produktet e të dyja vendeve.

Sipas tij, këto dy vende duhet të kenë edhe strategji të qarta për bashkëpunimin ekonomik dhe investime të përbashkëta Shqipëri-Kosovë, në mënyrë që këto investime të përbashkëta të rrisin më shumë nivelin e bashkëpunimit dhe qarkullimit tregtarë.

Ndryshe, Kosova brenda vitit eksporton mallra në Shqipëri në vlerë rreth 40 milionë euro, ndërsa nga Shqipëria importohen mallra rreth 120 milionë euro.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat