Përfundon takimi i Treshës me qeverinë greke

Ekonomi

Përfundon takimi i Treshës me qeverinë greke

Më: 1 tetor 2012 Në ora: 19:50

Negociatat e qeverisë greke me Treshën për finalizimin e e paketës së masave të reja kanë hyrë në fazën përfundimtare. Kryeministri Antonis Samaras është takuar me drejtuesit e Treshës, të cilët më parë gjatë ditës janë takuar edhe me ministrin e financave, Janis Sturnaras. Në një intervistë për mediat greke, Antonis Samaras ka theksuar se më parë duhet të rehabilitojmë kredibilitetin e vendit që ishte traumatizuar, sepse kredibiliteti është një forcë negociuese. Sipas tij, pa kredibilitet nuk mund të negociosh për asgjë. “Po negociojmë çështjen e madhe dhe kritike të paketës së masave, që të përmbyllen me sukses negociatat me Europën, të vijë kësti i radhës i kredisë, me qëllim që të finalizohet rikapitalizimi i bankave, të rikthehet likuiditeti në ekonominë greke”, ka thënë kryeministri grek duke shtuar se “kështu do të vijmë në imperativin e dytë të madh pas qëndrimit tonë në euro, që është rimëkëmbja e ekonomisë”. Funksionarë të ministrisë greke të financave kanë bërë të ditur se treshja ka refuzuar masa dhe shkurtime në buxhet si dhe reforma fiskale të vlerës 2 miliard euro, duke pohuar se këto manovra janë shumë të pasigurta për të arritur në plotësimin e objektivave. Kësaj here shkurtimi në buxhet duhet të jetë solid dhe i kolauduar, ka deklaruar një funksionar pranë delegacionit të treshës, duke shtuar se në të kaluarën propozimet alternative të sjella nga qeveria greke nuk kanë prodhuar atë që duhej, dhe kreditorët tashmë janë të lodhur nga premtimet e pambajtura. Kundërshtimet e delegacionit të kreditorëve mund të detyrojnë koalicionin grek të ulet sërish në tryezën e bisedimeve për të studiuar një plan për shkurtime të mëtejshme, në një moment që pakënaqësia e popullit grek dhe opozitës po shkakton protesta.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat