"Me paratë e Albpetrolit zbutet defiçiti"

Ekonomi

"Me paratë e Albpetrolit zbutet defiçiti"

Më: 5 tetor 2012 Në ora: 19:56

Privatizimi i kompanisë Albpetrol është një mundësi e artë që Shqipëria të ulë defiçitin dhe stokun e borxhit. Kështu ka deklaruar drejtoresha rajonale për Europën Juglindore Jane Armitage, në një intervistë për zërin e Amerikës.
“Ne besojmë se privatizimi i Albpetrolit, i cili sapo u njoftua, i ofroi vendit një mundësi të jashtëzakonshme për të përdorur këto fonde, së pari dhe mbi të gjitha për të paguar disa detyrime të grumbullura me kalimin e kohës. Kjo është e vërtetë për Shqipërinë dhe për shumë vende të tjera. Është shumë e rëndësishme për sektorin privat që të paguhen detyrimet e mbledhura gjatë dy vjetëve të fundit në mënyrë që të rifinancohen dhe të shpërblehen për shërbimet e kërkuara nga qeveria. Së dyti, ky privatizim i Albpetrolit është një rast unik që duhet përdorur për të ulur deficitin dhe stokun e borxheve”, u shpreh ajo.
Për drejtoreshën rajonale të BB investimet e huaja janë të rëndësishme për Shqipërinë në një numër fushash si turizmi, bujqësia, miniera e manifaktura. Sipas saj, Shqipëria ka ecur mirë në këtë drejtim pavarësisht vështirësive që po krijon kriza ekonomike në Eurozonë. Shumica e investitorëve janë europianë dhe kanë kaq shumë pasiguri dhe rreziqe. Zonja Armitage thotë se investitorët po diskriminohen kudo dhe është shumë e vështirë në këto kushte që një vend të bëhet tërheqës për investime dhe të konkurrojë me fqinjët, sepse të gjithë duan t’i tëheqin këta investues.
“Përmirësimi i klimës së biznesit, forcimi i menaxhimit makro-ekonomik, duke nisur me reduktimin e deficitit, përmirësimi i qeverisjes; të gjitha këto janë kushtet për investime të huaja, sepse investitorët janë shumë nervozë nga diskriminimi dhe nga përballja me rreziqet kritike. Ja pse reformat janë të rëndësishme për Shqipërinë më shumë se kurrë” , vuri në dukje, Armitage.
Sipas drejtores rajonale të Bankës Botërore, ky përvjetor bashkëpunimi është një rast për të vlerësuar se Shqipëria është një histori e jashtëzakonshme suksesi nga varfëria tek zhvillimi; ajo ka arritur vitet e fundit të reduktojë ndjeshëm varfërinë, ka përmirësuar jetën e njerëzve përmes shërbimeve.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat