Ulen lehtë interesat e kredive në lekë

Ekonomi

Ulen lehtë interesat e kredive në lekë

Më: 7 tetor 2012 Në ora: 13:04

Normat mesatare mujore të interesit të kredive në lekë të bankave shënuan një rënie të lehtë në gusht, për herë të parë që nga marsi 2012, duke vërtetuar edhe një herë se orientuesi kryesor i tyre është interesi i bonove të thesarit të qeverisë. Vetëm pasi ky tregues shënoi rënie, filloi lehtësimi i interesave të kredisë në lekë. Ndërkohë, zbutja e politikës monetare të BSH-së, që gjatë vitit të fundit e ka ulur me 5 herë normën bazë, në 4% aktualisht, nuk po jepte efekt në treg.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë bëjnë të ditur se norma mesatare e kredisë së re mujore në lekë për sistemin bankar rezultoi 11.11% në gusht, në rënie të lehtë nga 11.39% që ishte në korrik 2012. Megjithatë, interesat e kredisë në lekë janë më të larta në krahasim me dhjetorin 2011, kur ato rezultuan 10.82%.
Lehtësimi i vazhdueshëm i politikës monetare të BSH-së nuk po jepte efekt te interesat e kredive. Kjo, për faktin se bankat, në caktimin e kostos së kredisë ndjekin më shumë tendencën e interesave të bonove të thesarit. Këto të fundit qëndruan të larta në shtatë muajt e parë të vitit. Vetëm në gusht filloi zbritja e tyre nën 7%, që u reflektua më pas dhe në reduktimin e interesave të kredive në lekë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat