Ekonomia shqiptare vijon rritjen

Ekonomi

Ekonomia shqiptare vijon rritjen

Më: 14 tetor 2012 Në ora: 16:56

Tremujori i dytë i vitit ka rezultuar me një rritje pozitive të ekonomisë në vend. Instituti i Statistikave ka publikuar shifrat e tremujorit të dytë të vitit ku vërehet kthesa në pozitiv e ecurisë së sektorëve të ndryshëm të ekonomisë. Në periudhën prill-qershor ekonomia ka shënuar një ecuri shumë më të lartë se njw vit mw parw dhe se tremujori i mëparshëm. Kështu sipas INSTAT krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2011 rritja ekonomike në prill-qershor rezulton në 2,1%, ndërsa krahasuar me një tremujor më parë rritja rezulton më gati 1%.
Performancën më pozitive në tremujorin e dytë e ka dhënë sektori i post-telekomunikacioneve me 9.9%, i ndjekur nga industria me 6.4%, shërbimet e bujqësia me 5.6% dhe tregtia me 5.1%.
Sektorët si tregtia dhe bujqësia kanë ruajtur rritje pozitive gjatë dy tremujorëve radhazi, ndërsa sektorët që e kanë përmbysur tendencën negative të tremujorit të parë janë industria dhe post-telekomunikacionet. Kthesa e këtyre sektorëve rrit shpresat për një efekt më të përmbajtur të krizës në ekonomi dhe ruajtjen e rritjes pozitive edhe gjatë këtij viti.
Sipas Instat, të vetmit sektorë me rënie në tremujorin e dytë ishin ndërtimi dhe transporti. Ndërtimi regjistroi një tjetër rënie me 18.4%, ndërkohë që sektori i transporteve regjistroi një rënie të konsiderueshme me 7%.
Të dhënat zyrtare statistikore për tremujorin e dytë, që konfirmojnë një rritje të ekonomisë me 2,1% përmbysin kështu parashikimet e FMN dhe të BB. Parashikimet e FMN-së për ekonominë tonë gjatë këtij viti shkojnë vetëm deri në 0,5%, ndërsa ato të BB me 1%. Ndërkohë që qeveria ka parashikuar një rritje të ekonomisë në nivel më të lartë deri në 3% për këtë vit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat