Prizreni qendër jo vetëm historike, por edhe ekonomike

Ekonomi

Prizreni qendër jo vetëm historike, por edhe ekonomike

Më: 17 tetor 2012 Në ora: 21:18

Ekspozimi i bizneseve kombëtare ka vazhduar para qytetarëve të regjionit të Prizrenit, organizim ky nga Aleanca Kosovare e Bizneseve në kuadër të projektit “Javët e Biznesit Kombëtar 2012”. Pos prodhuesve nga Kosova, prodhimet e tyre i ekspozuan edhe bizneset shqiptare nga Mali i Zi, Maqedonia, Kosova Lindore dhe Shqipëria.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve, tha se ky projekt kapital po vazhdon të realizohet në të gjitha shtetet shqiptare, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri, Maqedoni, Malë të Zi e Kosovë Lindore, ku jetojnë dhe veprojnë shqiptarët.

“Qëllimi i këtij projekti, është që qytetarët shqiptarë të konsumojnë prodhimet kombëtare në pesë shtetet ku jetojnë dhe prodhojnë shqiptarët”, tha Agim Shahini. Sipas tij, projekti realizohet në kuadër të shënimit të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Kreu i AKB-së tregoi se prodhimet kombëtare kanë kaluar njëzetepesëmijë kilometra dhe atë në të gjitha trevat shqiptare dhe ekspozimi i do të vazhdoi deri me 28 nëntor.

“Miliardat e investuara në autostradën e Kosovës Shqipëri, kanë ndikuar në rritjen dhe shkëmbimin ekonomik ndërmjet Kosovës e Shqipërisë dhe rajonit. Po ashtu këto miliarda të investuara do të rikthehen nga qarkullimi që po realizohet nga kjo autostradë”, tha Shahini.

Sipas tij, Prizreni është jo vetëm qendër historike-kulturore, por edhe ekonomike dhe diplomatike e fuqishme. Konsumimi i prodhimeve kombëtare rrit cilësinë e jetës në trevat tona, zhvillimin ekonomik, uljen e papunësisë dhe ngritjen e bizneseve kombëtare.

“Konsumimi i prodhimeve kombëtare, ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin e trevave tona dhe biznesit”, tha Shahini.

Nga ana tjetër edhe Ymer Berisha, këshilltar i kryetarit të Prizrenit, vlerësoi lartë realizimin e këtij projekti në Prizren, duke kërkuar që qytetarët të vetëdijesohen dhe konsumojnë prodhimet vendëse. Ai tregoi se kjo komunë gjitnjë ka ndihmuar bizneset me lehtësira.

Selatin Gjeloshi, prodhues nga Ulqini, tha se realizimi i këtij projekti në të gjitha trevat kombëtare shqiptare ka shënuar rezultate pozitive. Ai tregoi se projekti është realizuar edhe në Ulqin, ku edhe konsumohen mjaft prodhimet shqiptare.

Edhe Emilija Rexhepi, deputete e Kuvendit të Kosovës, kërkoi nga qytetarët që të konsumojnë prodhime shqiptare, sepse vetëm kështu zhvillohen trevat dhe bizneset.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat