Shtyhet përpara ideja për blerje të produkteve vendore

Ekonomi

Shtyhet përpara ideja për blerje të produkteve vendore

Më: 19 tetor 2012 Në ora: 19:11

Me ftesë të zëvendëskryeministres dhe ministres së Tregtisë e Industrisë, Mimoza Kusari – Lila, si nismëtare e idesë për blerjen e produkteve kosovare, si dhe udhëheqëse e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, sot në Prishtinë u diskutua me përfaqësues të prodhuesve kosovarë dhe asociacione të biznesit për hapat e mëtutjeshëm lidhur me këtë.“Rritja e konsumit për produkte vendore, rritja e konkurrueshmërisë, krijimi i një tereni të barabartë në fushën e tregtisë si dhe një politikë që hap tregje, janë disa nga përparësitë e këtij ligji”, theksoi ministrja, duke shtuar se standardi dhe etika e punës janë dy elemente kryesore që duhet t’i kenë parasysh bizneset.

Kryetari i Aleancës Kosovare për Biznes tha se ky është propozimi më i mirë deri më tani dhe se e mbështet në plotësisht amendamentimin e këtij ligji. Ndërsa, përfaqësues të Odës Ekonomike të Kosovës thanë se duhet të jemi shumë të kujdesshëm për procedurat e tenderimit, ngase sipas eksperiencave paraprake është bërë seleksionimi i bizneseve para se ato të merrnin pjesë në një tender.

Dhjetëra biznese të pranishme në këtë takim u pajtuan që nuk është nevoja të krijohet një ligj i ri, por të amendamentohet Ligji aktual për Prokurim Publik. Ky amendamentim duhet të nisë nga Ministria e Financave, ku do të ketë edhe takime tjera për të marrë pajtimin e asociacioneve të biznesit, si dhe të ministrive tjera.

Konkluzionet nga ky takim do t’i përcillen mbledhje së gjashtë të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, që do të mbahet më 13 nëntor. Më pas, do të krijohet një grupi nga Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Financave për implementimin e iniciativës për Blerje të Produkteve Kosovare nga institucionet e vendit me kontrata publike. Ky grup do të përcaktojë ndikimet ekonomike dhe ligjore, përfitimet nga kjo iniciativë dhe ndryshimet në ligje.

Ideja për blerjen e produkteve vendore u miratua në mbledhjen e pestë të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat