Nishani: Shqipëria e pasur me burime të rinovueshme

Ekonomi

Nishani: Shqipëria e pasur me burime të rinovueshme

Më: 23 tetor 2012 Në ora: 17:18

Shqipëria mund të japë një shembull shumë të rëndësishëm si një vend i vogël, por me potenciale të mëdha të energjisë së rinovueshme. Kështu u shpreh Presidenti, Bujar Nishani, në Forumin Botëror të Energjisë që po zhvillohet në Dubai nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara me temën “Një Forum për Udhëheqësit Botërorë”. Kreu i shtetit shqiptar mer pjesë në këtë forum me ftesë të Lartësisë së Tij, Sheikut Mohamed bin Rashid Al Maktum, Zëvendëspresidentit dhe Kryeministrit të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Sundimtarit të Dubait.
Në vlerësimin e Presidentit Nishani zhvillimi dhe modernizimi i sektorit energjitik, me qëllim garantimin e sigurisë së furnizimit me lëndë energjitike të konsumatorëve, është një nga qëllimet kryesore të politikës së Shqipërisë, për një zhvillim të qëndrueshëm social-ekonomik dhe për integrimin evropian.
“Shqipëria është e pasur me burime të rinovueshme energjitike. Rezervat totale të fuqisë hidroenergjetike llogariten në rreth 4500 MË. Fuqia aktuale e instaluar në hidrocentrale është rreth 1460 MW. Deri tani janë shfrytëzuar rreth 35% të kapaciteteve hidroenergjitike.
Një nga synimet tona prioritare është tërheqja e kompanive private për të investuar në ndërtimin e hidrocentraleve dhe shfrytëzimin e burimeve të tjera të rinovueshme, si edhe krijimi i partneritetit të shtetit me investitorët privatë”, theksoi Presidenti në fjalën e tij.
Sipas tij, siguria në sektorin e energjisë mund të arrihet nëpërmjet ndërtimit dhe modernizimit të rrjeteve të interkonjeksionit rajonal, sigurimit të rrjeteve të naftës dhe gazit nga Lindja në Perëndim përmes Rrugëve Ballkanike.
Në këtë aspekt Presidenti ka sjelle në vëmendje memorandumin e mirëkuptimit trepalësh Shqipëri–Greqi-Itali, nënshkruar në Nju-Jork në shtator 2012 si një hap te rëndësishëm për zbatimin praktik të projektit TAP.
“Gjeopolitika e rajonit, i cili përbën një rrugë kryesore lidhëse mes Lindjes dhe Perëndimit, do të pasurohej kësisoj me një dinamikë të re. Ky fakt do ta bënte integrimin e tij të shpejtë, të domosdoshëm për vetë Evropën, pasi pozicionimi i tij aktual si një rajon i rrethuar me kufij të BE-së, por i paintegruar në këtë të fundit, do të ishte i dëmshëm për të gjitha palët. Ndërkohë që perspektiva e Ballkanit si një vatër e re zhvillimi ekonomik dhe punësimi do të lehtësonte edhe vetë BE-në nga një sfidë që është sa politike, po aq edhe ekonomike”, u shpreh Nishani.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat