KE aprovon taksën mbi transaksionet financiare

Ekonomi

KE aprovon taksën mbi transaksionet financiare

Më: 23 tetor 2012 Në ora: 17:43

Komisioni Europian ka aprovuar kërkesën e 10 vendeve anëtare të BE për vendosjen e taksës mbi transaksionet financiare. Komisionerët europianë të mbledhur në Strasburg kanë aprovuar vendimin me të cilin ka autorizuar vendet qe e kanë kërkuar në mbledhjen e fundit të ministrave të financave të Europës për të aplikuar një taksë mbi transaksionet financiare. Sipas Brukselit në fakt janë të gjitha kushtet ligjore për një taksë të tillë. “Unë jam i kënaqur që 10 shtete anëtare kanë treguar vullnetin e tyre për të marrë pjesë në një taksë të përbashkët, në linjën e propozimeve të mëparshme të Komisionit,” është shprehur presidenti i Komisionit Jose Manuel Barroso në një deklaratë. “Kjo taksë mund të sigurojë miliarda euro të ardhura, që janë shumë të rëndësishme për shtetet anëtare në këto kohë të vështira. Kjo ka të bëjë me drejtësinë: ne duhet të sigurohemi që kostot e krizës të ndahen nga sektori financiar, në vend që të rëndojnë mbi shpatullat e qytetarëve të zakonshëm,” ka thënë ai. 10 shtetet që e kanë kërkuar vendosjen e “Tobin Tax” janë Franca, Gjermania, Austria, Belgjika, Greqia, Italia, Portugalia, Sllovakia, Sllovenia dhe Spanja. Ata vendosën që të ecin me taksën, pasi ideja, që u hodh fillimisht nga Komisioni në shtator 2011, nuk gjeti mbështetje unanime midis 27 vendeve anëtare të BE-së. Komisioni atëherë vlerësoi se taksa e harmonizuar do të siguronte 57 miliardë euro të ardhura çdo vit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat