Schaeuble: Kriza greke, faji i Athinës

Ekonomi

Schaeuble: Kriza greke, faji i Athinës

Më: 26 tetor 2012 Në ora: 20:20

“Faji për situatën e rëndë në Greqi nuk është i askujt tjetër përveç vetë Greqisë dhe politikanëve grekë”.

Kështu ka deklaruar ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schaeuble, në një intervistë për televizionin gjerman ZDF, i cili ka publikuar një pjesë të saj.

“Nëse në Greqi politikanët bindin njerëzit se fajin e problemeve të tyre e ka dikush në Bruksel, në Evropë apo në Gjermani, atëherë ata janë demagogë të papërgjegjshëm”, ka thënë Schaeuble.

Ndonëse gjatë vizitës së fundit në Greqi, kancelarja Angela Merkel shprehu mbështetjen e saj për shtetin helen, Berlini zyrtar nuk i rezervon akuzat në adresë të klasës politike greke për krizën financiare.

Ditën e mërkurë ministri i Financave, Yannis Stournaras njoftoi se Greqisë iu dha më shumë kohë për të shlyer borxhet e saj dhe për të realizuar reformat e domosdoshme.

Athina kishte kërkuar më parë dy vite më shumë kohë, për të realizuar shkurtimet buxhetore të vendosura si kusht nga Trojka për akordimin e plotë të të gjithë kësteve të huasë prej 130 miliardë eurosh.

Huatë e trojkës, një treshe që përfshin Bashkimin Europian, Bankën Qendrore Europiane dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, janë ato që po mbajnë ende në këmbë financat helene praktikisht të falimentuara.

”Sot fituam shtyrjen e afatit”, deklaroi ministri i Financave për mediat greke gjatë pasdites së dy ditëve më parë, pa specifikuar se sa kohë i është dhënë Athinës.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat