Kosova më së shumti importon nga Serbia

Ekonomi

Kosova më së shumti importon nga Serbia

Më: 10 korrik 2013 Në ora: 23:11

186.4 milion euro është deficit tregtar për muajin maj të këtij viti në Kosovë, ndërsa eksporti mbulon importin vetëm 12.8%. Kosova më së shumti gjatë këtij muaji ka eksportuar në Itali ndërsa ka importuar në Serbi.

Të dhënat e Tregtisë së Jashtme tregojnë se eksporti në muajin maj 2013 kishte vlerën 27,2 milionë euro, ndërsa importi 213,7 milionë euro, çka do të thotë është një rritje prej 8.5% për eksport, si dhe një rënie prej -7.7% për import, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2012.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës grupet kryesore të eksportit: 54.6% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 17.1% produktet minerale; 5.6% ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 4.9% plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 4.1% lëkura dhe artikujt e saj; 3.8% tekstili dhe artikuj e tij; 3.2% makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; si dhe 3.0% produktet bimore.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 18.3% e përbëjnë produktet minerale; 13.8% ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 10.6% makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 10.5% metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 7.5% produktet e industrisë kimike; 6.5% plastika, goma dhe artikuj prej tyre; si dhe 5.3% mjetet e transportit.

Partnerët kryesorë tregtarë sa i përket eksportit dhe importit në Kosovë, në raport me totalin e muajit, janë vendet e BE-së, të cilat marrin pjesë me 39.1% për eksport dhe 41.1% për import. Ndërsa, vendet e CEFTA-së marrin pjesë me 32.8% për eksport dhe 31.4% për import.

Përqindja më e madhe e eksportit ishte në Itali 30.6%; në Shqipëri 15.5%; në Indi 9.1%; në Maqedoni 7.2%; në Serbi 4.1%; dhe në Mali të Zi 3.8%.

Ndërsa, përqindja më e madhe e importit është nga: Serbia 11.2%; Italia 11.0%; Gjermania 9.9%; Turqia 9.2%; Kina 7.4%; si dhe Maqedonia 7.6%.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat