E ardhmja e tregut të Shqipërisë dhe Kosovës e përbashkët

Ekonomi

E ardhmja e tregut të Shqipërisë dhe Kosovës e përbashkët

Më: 13 shtator 2013 Në ora: 22:26

Me qëllim të vetëm lehtësimin e të bërit biznes mes dy vendeve, e ardhmja e tregut shqiptar dhe kosovar është e përbashkët, Kështu u tha gjatë takimit mes ministres së Tregtisë dhe Industrisë së Republikës së Kosovës, Mimoza Kusari-Lilas dhe ministrit të Tregtisë dhe Sipërmarrjes të Republikës së Shqipërisë, Arben Ahmetaj.

Kusari-Lila, ka thënë se gjatë takimit të parë me ministrin e Tregtisë së Shqipërisë Arben Ahmetajn, kanë biseduar për mundësinë e ngritjes së bashkëpunimit ekonomik, për shkëmbimin e përvojave, por edhe për identifikimin e projekteve konkrete që të dyja vendet do të realizojnë në një të ardhme të afërt.

“Do të kemi një plan të aktiviteteve, ku konkretisht do të diskutojmë projekte dhe do të përcjellët implementimi i atyre projekteve mes dy shteteve. Është vizita e parë e ministrit Ahmetaj këtu dhe ne prezantuam aktivitetin e ministrisë dhe atë se çfarë mund dy ministritë të bashkëpunojnë në të ardhmen”, ka thënë Kusari-Lila.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes të Republikës së Shqipërisë, Arben Ahmetaj, ka pohuar se në agjendën e Qeverisë Rama, një hapësirë të madhe zë bashkëpunimi në fushën e tregtisë dhe industrisë me Kosovën dhe realizimi i projekteve që janë me interes të të dyja vendeve.

“Ne kemi objektiva ambicioze të konceptimit dhe të funksionimit të tregut shqiptar dhe kosovar si një i tërë për të përmirësuar klimën e biznesit dhe tregtinë e lirë. Sigurisht për t’i bërë mallrat, shërbimet, produktet më të lira për qytetarët shqiptar dhe kosovarët. Në agjendë e qeverisë Rama ka shumë projekte të përbashkëta qoftë në tregtinë e lirë dhe lehtësimin e logjistikës tregtare për mallrat që përfundojnë në tregun kosovar. Qoftë për shkëmbimet në energjetik, në transport, bujqësi dhe turizëm”, ka pohuar ai.

Ai ka siguruar se problemet që janë shfaqur në të kaluarën në fushën e tregtisë, mes dy vendeve, më nuk do të tolerohen dhe se çdo pengesë do të zgjidhet me urgjencë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat