Beqaj: Kriza greke nuk e dëmton shtetin e Kosovës

Ekonomi

Beqaj: Kriza greke nuk e dëmton shtetin e Kosovës

Më: 7 korrik 2015 Në ora: 00:02

Situata e fundit në Greqi ka qenë temë diskutimi në emisionin Zona B, në Klan Kosova.
Në një referendum të konsideruar si historik për vendin helen, populli kishte dy zgjedhje përpara vetes: t’u thoshte “Po” ose “Jo” kushteve dhe ofertës evropiane për dalje nga kriza.
61.4 për qind votuan “Jo”, kurse 38.5 për qind “Po”, për t’i refuzuar kështu kreditorët e Trojkës (Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Qendrore Europiane dhe Komisionin Europian), transmeton Klan Kosova.
I ftuar i Baton Haxhiut ishte ekonomisti dhe ish-Ministri i Financave, Besim Beqaj.
Ai deklaroi se e ka pritur këtë rezultat të referendumit të popullit grek, sepse kjo është pasqyrë e politikës që zhvillon kryeministri i tyre, Alexis Tsipras.
“S’jam i befasuar duke parë performancën e Alexis Tsipras”.
“Prejse ka ardhur në pushtet synimi i tij ka qenë dhe vazhdon të jetë që të tregojë fuqi negociuese”.
“Tsipras po tenton ta forcojë pozicionin në bisedime”.
“Ai synon të tregohet shpëtimtar, sepse pozicioni i tij është shumë i rrezikshëm”.
“Kjo është një lojë ekstremisht e rrezikshme edhe për qytetarët”
Për Beqajn, kur është në pyetje një politikan i llojit të Tsipras, gjithçka mund të supozohet.
“Ai di të bëjë edhe çmenduri për të treguar dinjitetin, ose mosdinjitetin”.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës shpjegoi edhe arsyetimin grek, sipas të cilit, kreditorët e Trojkës i dhanë para Greqisë por vetëm për ta shlyer borxhin ndaj tyre, e jo për mirëqenien e qytetarëve grekë.
“Që nga fillimi i krizës, Greqia ka pasur një ofertë nga europianët për dalje nga kriza”.
“Mbi 250 miliardë euro janë futur në sistem për ta mbajtur gjallë sistemin grek”.
Por, mjetet që kanë dhënë kreditorët nuk konsiderohen që janë të sinqerta nga grekët.
“Tsipras thotë se do të jetë negociator i fortë dhe do ta kthejë dinjitetin, sepse paratë janë dhënë vetëm për të paguar borxhin dhe jo për një jetë më të mirë të qytetarëve”.
“Sipas grekëve, askush nuk u angazhua për ta larguar krizën, por paratë u dedikuan për t’i shlyer borxhet dhe masat shtrënguese pastaj dërguan në një situatë të tillë”.
Beqaj përmendi faktin se Greqia nuk ka dhënë ndonjë alternativë se si dilet nga kriza.
“Konsiderohet se Greqia po e fuqizon rolin e kryeministrit, por edhe Kancelarja Angela Merkel u tha: ‘E respektojmë vendimin tuaj, por nëse doni të largoheni nga kjo situatë, tregoni si duhet ta bëjmë’”.
Beqaj e komentoi edhe afrimin e Tsipras me Rusinë, diçka që për të është një rrugë e gabuar, sepse Greqia duhet të ketë orientim evropian, përderisa lavdëroi qasjen e Evropës, specifikisht të Gjermanisë, në raport me Greqinë.
“Gjermania, por edhe shtetet tjera në BE, po tentojnë të tregojnë përkushtim”.
“Ato po japin mbështetje, përkundër arrogancës greke”.
Sipas tij, Evropa nuk do të dëmtohet fare nëse Greqia del nga Eurozona dhe kriza greke nuk e dëmton as shtetin e Kosovës, përderisa në Shqipëri me siguri se do të vërehet ndikimi negativ, për shkak të lidhjeve të shtetit shqiptar me atë helen.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat