Homazhe dhe nderim për dëshmorin e Kombit Bafti Haxhiu

Zvicra

Homazhe dhe nderim për dëshmorin e Kombit Bafti Haxhiu

Më: 2 gusht 2016 Në ora: 08:51
Pamje nga homazhet

Në kuadër të qëndrimit në Kosovë një delegacion i Degës së LDK-së në Zvicër i kryesuar nga kryetari i Degës së LDK-së në Zvicër, z. Haki Latifi i shoqëruar, nga kryetari i nëndegës së LDK-së në Gjenevë z. Ismet Mjaki dhe anëtarët e kryesisë së nëndegës së LDK-së në Burgdorf z.  Ali Basha dhe Nazmi Ibrahimi të shoqëruar nga vëllezërit e dëshmorit z. Shukri dhe Izer Haxhiu- Kajolli së bashku me djalin e dëshmorit Lulzim Bafti Haxhiu-Kajolli kanë bërë homazhe në varrezat e Dëshmorëve të Komunës së Vitisë, ku pushon edhe trupi i dëshmorit Bafti Haxhiu.

Duke folur për sakrificat dhe rënien e Dëshmorit Bafti Haxhiu ish arkatar dhe anëtar i kryesisë së Nëndegës së LDK-së në Burgdorf, i cili ra dëshmor në betejën e lavdishme në kuadër të operacionit "Shigjeta" të UÇK-së në Gorozhub të Prizrenit, më 26 maj 1999, kryetari z.Haki Latifi theksoi se; "kujtojmë me përplot lavdi birin, bashkëpunëtorin tonë hero, Bafti Haxhiu, i cili deri në rënien e tij nuk pushoi së punuari, vepruari dhe luftuari për synimin madhor të kombit, ku përkatësia gjeografike e këtyre trojeve ishte objektiv i tij në shkrirje natyrale të tyre.

Bafti Haxhiu, bashkë me bashkëluftëtarët e tij idealist për çlirimin e vendit, janë treguesit më të mirë se ideali, liria dhe kombi nuk kanë vetem afate dhe rrethana kohore për veprim dhe përkushtim, porse këto virtyte të lartë njerëzore dhe kombëtare konsistojnë dhe duhet të konsistojnë përjetësisht, për të arrirë dhe ndërtuar shtetin tonë Kosovën” ka pohuar në fjalën e tij kryetari Haki Latifi, për të shtuar më pas se; " Gorozhubi i Prizrenit të lashtë, këtij kryeqyteti historik, ishte lokacioni prej nga thirrja e kushtrimit kombëtar bënte jehonën e saj dhe sakrifica e tyre përkundër të gjitha presioneve, nuk i zbrapsi dot, por qëndruan ashtu siç qëndrojnë besatarët e atdheut, derisa atdheu i shndërroi ata në pavdekshmëri.

Sot, ne i kujtojmë, sepse ata e bënë vetë lavdinë, se shembulli dhe sakrifica e Baftiut do të jetë udhërrëfyes për brezat e ardhshëm, mbi supet e së cilëve mbetet obligimi i ndërtimit të shtetit të Kosovës dhe bërjes së një jetë më të mirë në këtë shtet. Të jetë dedikimi ynë prioritar jetësor, sepse kështu nderojmë gjithë të rënit e lirisë”.

Image
Kryetari Haki Latifi i dorëzoi djalit të dëshmorit, Lul Bafti Haxhiut Mirënjohjen e ndarë (pas vdekjës) nga Nëndega e LDK-së në Burgdorf

Në fund kryetari z. Haki Latifi i dorëzoj djalit të dëshmorit z. Lul Bafti Haxhiut Mirënjohjen e ndarë ( pas vdekjës) nga Nëndega e LDK-së në Burgdorf/BE në kuadër të 26 vjetorit të kësaj Nëndege në shenjë nderimi dhe respekti për kontributin e të ndjerit në çlirimin e vendit.

Në emër të familjës u falenderua z. Shukri Haxhiu.

Në vazhdim delegacioni i Degës së LDK-së në Zvicër u prit nga kryetari i Komunës së Vitisë z. Sokol Haliti në të cilën u informuan për veprimtarinë e komunës dhe aktivitetët që po zhvillohen në kuadër të komunës dedikuar "Ditëve të mërgimtarëve" gjatë qëndrimit në Vendlindje si dhe u falenderua për nderimin e bërë nga Dega e LDK-së në Zvicër për dëshmorin Bafti Haxhiu.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat